Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat e mitura të cilat keqpërdoren seksualisht nga personat të moshës madhore. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe si rezultat një person është ndaluar.
Këtë herë, viktimë është një 14-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga një person para dy ditësh në Podujevë.
Denoncimi i rastit ka aktivizuar Policinë dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Media ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është Altin Dema, rreth 20-vjeçar i cili u arrestua të hënën.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se ka ndodhur në një lokacion në rrugën “Bedri Bajrami”, ku i dyshuari kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Pas përfundimi të procedurave, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën ‘Dhunimi’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër kosovare- e mitur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa viktima në ekzaminim mjekësor.”