Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se vendimi i kryeministrit Kurti për rritje të pagave në sektorin publik që nga 1 janari, është tentim për blerje votash.
“Tani, kur po e sheh që qytetarët do ta ndëshkojnë për këto 4 vite stagnim dhe dështim, ai po tenton të blejë vota. Tash me 110 euro”, ka shkruar Selmanaj.
Ai ka kthyer në kujtesë një deklarim të kryeministrit Kurti para disa kohësh, i cili ironizonte me kërkesat e mësimdhënësve për rritje të pagave për 100 euro.
“A ju kujtohet kur, para dy viteve, në kulmin e inflacionit, Albin Kurti bënte hajgare dhe i përqeshte kërkesat e mijëra mësimdhënësve në Kosovë? “Ndihmom si vëlla, ami 100 euro. Ka kaluar koha e vëllezërve,” thoshte ai”, ka shkruar Selmanaj.
Selmanaj ka shtuar se kryeministri po i rritë pagat, kur po ka nevojë për votat e qytetarëve.
“Qytetarët të kanë besuar dhe të kanë sprovuar, por ti ke dështuar. Kështu që kot e ke. Me rritje pagash para zgjedhjeve nuk mbulohet dështimi yt”, ka shkruar Selmanaj.