Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka shprehur kritika ndaj emërimit të Gafurr Dugollit si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes – pas raportimit të Televizionit Dukagjini për parregullsi në këtë proces – duke e quajtur atë një emërim të paligjshëm dhe shembull të ndërhyrjes së pushtetit për t’i shpërfillur procedurat ligjore.
Në një konfirmim për Televizionin Dukagjinin, sipas Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Dugolli u emërua para përfundimit të afatit për ankesa, një proces që duhet të respektohet sipas ligjit për të garantuar transparencë dhe drejtësi në procedurat e rekrutimit publik.
Musliu theksoi se ky rast përfaqëson një nga shumë raste të ngjashme të mbuluara nga Qeveria Kurti, të cilat kalojnë shpesh pa u vërejtur dhe mbulohen nga heshtja.
“Edhe më këtë rast si dhe në raste të tjera kanë reaguar më forcë të numrave ndaj çdo vërejtje. Ky është veç një rast. ka me dhjetra raste brenda Qeverisë, që emërohen në këtë mënyre dhe që mbyllen pa u vërejtur. Në këtë rast dua t’i përgëzoj mediat që kanë arritu ta bëjnë një kronikë kaq të detajuar dhe që e sqaron mirëfilli problematikën se me çka po ballafaqohen qytetarët, duek iu mohuar e drejta edhe në ankimin, e drejta për të qenë të barabartë. Nga një Qeveria e cila komplet fushatën zgjedhore e ka bërë duke u thirrur se do t’i trajtoj të gjithë qytetarët barabartë para ligjit. Ky është vetëm një nga shumë faktet tjera që i kemi shpërfaqur në Kuvend. Që në shumicën e rasteve ose janë mbyllur ose kanë kaluar në heshtja, pa u vërejtur shumë nga mediat dhe opinioni”, ka thënë Musliu.
Në deklaratën e saj, Musliu kundërshtoi arsyetimet e Vetëvendosjes që emërimi i Dugollit është një reagim kundër një ish-ushtari të UÇK-së, duke theksuar se kritikat e PDK-së nuk bazohen në përkatësinë e individëve, por në respektimin e standardeve dhe të ligjit.
Teksa ka kritikuar partinë në pushtet, Musliu ka vënë në pah një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për të shfrytëzuar numrat dhe fuqinë e saj për të heshtur kritikët dhe për të mbuluar rastet e shkeljeve ligjore.
“Rasti i zotit Dugolli është diskutuar në Kuvend. Arsyetime ka pasur se po reagojmë kundër një ish-pjesëtari të UÇK-së. Gjë që nuk ka qenë e vërtete, sepse ne nuk i kemi trajtuar me standarde të dyfishta pjesëtarët e UÇK-së.
Një nga reagimet e mia kur kanë ardhë në Kuvend më këtë fakt. E kam bërë pyetjen se a kanë qenë luftëtarë të UÇK-së edhe Fadil Kodra, edhe Fatmir Sfishta edhe Nezir Qoja, të cilat ky pushtet i ka larguar nga puna dhe i ka maltretuar.
Tendenca për t’ia mbyllur PDK-së me faktin se ka qenë ushtar i UÇK-së asnjëherë nuk ka zënë vend.
Është shkel ligji dhe zoti Dugolli është emëruar lehtësisht sepse ka qenë vëllau i një deputeti, I cili ka qenë mburojë për problemet e Qeverisë”, ka shtuar ndër të tjera Musliu.