Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Visar Azemi ka thënë se paralajmërimi i qeverisë Kurti për rritje pagash nga muaji janar nuk ishte i befasueshëm.
Azemi këtë vendim e quajti populist, e joserioz pasi sipas tij këto janë “lojëra të qeverisë në prag zgjedhjesh”.
“Nuk na befasoi aspak, vendime të pritshme, populiste, por joserioze si gjithmonë, këto lojëra që po i luan kjo qeveri në prag të zgjedhjeve janë të rrezikshme, dhe nuk kanë vlerë, prandaj kanë qenë të pritshme gjëra që ne i kemi paraparë që do të vijnë edhe te një manipulim e mashtrim i tillë”, deklaroi Azemi.
Ai thotë se këtë vendim LDK-ja e konsideron manipulim, pasi sipas tij përballë inflacionit të lartë, rritja e pagave prej 55 eurosh është jo serioze.
“E konsiderojmë manipulim pasi përballë dinjitetit që e gëzon një arsimtar një mjek, një professor, një zjarrëfikës, një polic, e karshi zhvllimeve që kanë ndodhur me rritje çmimesh e norma të larta të inflacionit, një rritje page prej 55 eurosh për të gjitha kategoritë është joserioze, prandaj ky nuk është ndryshimi”, shtoi Azemi.
E vendimin e qeverisë, ai po e quan të jashtëligjshëm, pasi sipas tij sasia e koeficientit nuk mund të ndryshohet me një vendim të qeverisë.
“Ajo që ndodhi sot përvec që është e jashtëligjshme, sasinë e koeficientit nuk mund ta ndryshosh me një vendim të qeverisë, ato shkojnë karshi ligjit të pagave, ne po merremi me vlerën”.
Teksa shton se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës, vjen në pushtet, vlera e koeficientit që në javën e parë do të jetë 150 euro.
“150 euro do jetë vlera e koeficientit në javën e parë të qeverisë Abdixhiku, ne do e ngrisim vlerën jo sasinë e koeficientit, sasia e koeficientit mund të ngritet vetëm me ndryshim amandamentim të ligjit për paga. Kjo qeveri ka treguar shumë herë që shumë ligje i kanë përfunduar në gjykatë, prandaj nuk i marr për bazë lëvizjet e tyre sepse nuk kanë pasë drejtë në shumë ligje, këta nuk kanë ditur t’i përpilojnë ato ligje”, tha Azemi.