Imeri: Rritja e paralajmëruar e pagave nga Qeveria për konsum politik, s’më duken serioz

Aktuale

Imeri: Rritja e paralajmëruar e pagave nga Qeveria për konsum politik, s’më duken serioz

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 19:29
Tevide Imeri

Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri, e ka konsideruar vendim për konsum politik, paralajmërimin e qeverisë Kurti për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Imeri, po ashtu e sheh edhe si vendim joserioz për shkak se siç ka thënë nuk ka mbështetje ligjore duke ditur se do të bëhet plotësimi i ligjit të pagave.

“Më shumë po konsideroj që është një lloj për konsum politik, thjesht nuk jam shumë e bindur që janë shumë serioz siç nuk kanë qenë edhe në plot raste tjera. Nuk e shoh shumë serioz këtë vendim të cilin e kanë marrë për faktin thash se nuk ka mbështetje ligjore sepse do të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit të pagave. Ne po presim se çfarë do të bëhet por besimi i FSSHK-së është i vogël ose fare në këtë vendim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, para se të bëhej çfarëdo ndryshimi është dashur të konsultohen përfaqësuesit e punëtorëve të sindikatave sepse për Imerin mungesa e dialogut sjell vendime të njëanshme të cilat mund të shkaktojnë dilema të shumta.

“Sigurisht, çdo ndryshim që bëhet tek punëtorët jo vetëm shëndetësorë por te të gjithë duhet të konsultohen përfaqësuesit e punëtorëve pa dallim të gjitha sindikatat. Kjo qeveri, kjo ministria jonë përkatëse ministria e shëndetësisë e ka mbyllur dialogun me ne, janë tepër diskret dhe kur mungon dialogu dihet se këto vendime janë të njëanshme, mund të jenë të qëllimshme e që mund ti nxjerrin 100 dilema në pah”, është shprehur ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka paralajmëruar se nga janari i vitit 2025 do të ketë rritje prej 55 euro të pagës për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat