Dhomat e Specializuara të Hagës janë më të izoluara krahasuar me proceset gjyqësore të cilat janë gjykuar nga institucione gjyqësore të mëparshme. Përveç kësaj, kjo Gjykatë Speciale përkundër përpjekjeve ka dështuar të jetë e pranueshme për shumicën e popullatës. Kështu është thënë në diskutimin e mbajtur sot me temën “Kultura përkujtimore e Kosovës 25 vjet pas luftës” i organizuar nga fondi politik “Heinrich Böll Stiftung”.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare theksoi se izolimi e dallon Gjykatën Speciale në Hagë në krahasim me institucionet e tjera gjyqësore të cilat i kanë trajtuar krimet e luftës, derisa përmend Tribunalin e Hagës, gjykimet nga UNMIK-u, EULEX-i e të tjera.
Ai tha se seancat e mbyllura dhe pjesërisht të redaktuara në Dhomat e Specializuara po ua vështirësojnë monitorimin gazetarëve dhe monitoruesve.
Alija: Seancat e mbyllura dhe pjesërisht të redaktuara paraqesin vështirësi për gazetarët, monitoruesit
“Dhomat e Specializuara mund të themi se janë pak më të izoluara në krahasim me procese gjyqësore të cilat janë gjykuar nga institucione gjyqësore të mëparshme...Rreth 50 për qind të dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria në Hagë, kryesisht kanë qenë dëshmitarë që kanë dhënë dëshminë në seanca të mbyllura. Dhe tani sigurisht seancat e mbyllura dhe pjesërisht të redaktuara paraqesin pak vështirësi për gazetarët, monitoruesit dhe për palët të cilat janë të interesuara që t’i monitorojnë dhe që të kuptojnë se çka janë duke dëshmuar këta dëshmitarë...Ne i monitorojmë edhe gjykimet për krime të luftës në Kosovë, por mund të themi në 99 për qind të seancave gjyqësore në Kosovë gjykimet janë të hapura", theksoi Alija.
Ndërkaq, gazetarja Serbeze Haxhiaj potencoi se hendikepi i Gjykatës Speciale është se përkundër përpjekjeve për shumicën nuk do të jetë legjitime.
Ajo përmendi faktin se masat e reja për mbrojtje të dëshmitarëve tregon se rreziku për këta të fundit nuk ka kaluar.
Haxhiaj: Gjykata Speciale nuk do të jetë kurrë legjitime në sytë e njerëzve
"Gjykata po has vazhdimisht praktika sabotuese edhe përpjekje për të ndikuar në drejtësi...Kemi një numër të dëshmitarëve që hiç më larg se javën e kaluar gjykata ka lëshuar masa të reja për mbrojtje të dëshmitarëve dhe u ka mundësuar dëshmitë përmes videolinkut, tregon që rreziku për dëshmitarët nuk ka kaluar. Ajo çka i mungon kësaj gjykate është legjitimiteti ose elementi apo ana më e errët e saj është se ajo nuk do të jetë kurrë legjitime në sytë e njerëzve. Sa mund të ndikojë kjo në çështjen e paqes dhe pajtimit aq sa ka mundur të ndikojë tribunali penal për ish-Jugosllavinë, këtu kam dilema. Për arsye se hendikepi i saj është sepse është gjykatë monoetnike dhe për shumicën këtu nuk do të jetë e pranueshme. Deri më tash në gjithë përpjekjet e saj, gjykata e ka dështuar të jetë e pranueshme për shumicën e popullatës", tha Haxhiaj.
E Drejtoresha e Muzeut në Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Bjeshkë Guri theksoi se mes komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe shqiptarëve ka shumë përçarje në komunikim. Sipas saj kjo vjen për shkak të edukimit ndryshe se çfarë ka ndodhur gjatë luftës.
Derisa tregoi për qëllimin e raportit të publikuar mbi qëndrimet e të rinjve për luftën dhe klimat e saj, Guri potencoi se këta të fundit shumicën e informacioneve i marrin nga familjarët.
Guri: Shumë përçarje në komunikimin mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve
"Rishtazi e kemi bërë edhe një raport mbi qëndrimet e të rinjve dhe të rejave mbi luftën dhe klimat e luftës... Nuk jepen informatat për rezistencën që është bërë në atë kohë...Shumica prej tyre nuk e kanë përjetuar luftën vetë por në të njëjtën kohë e sheh si ky diskursi publik iu ka ndikuar direkt se qysh ata e shohin luftën. Mediat, edukimi, shkollat qysh ligjërohet. E dimë që në për tekstet e historisë ka pak informata, tre faqe maksimumi janë që iu dedikohet historisë së luftës...Del që shumicën e informatave i marrin prej familjarëve...26:21 Kur flasim për komunikimin sidomos mes komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe shqiptarë ka tepër shumë përçarje pasi që dihet që këto dy komunitete edukohen ndryshe se çfarë ka ndodhur gjatë luftës", potencoi Guri.
Po ashtu, Guri tha se për shkak të mentalitetit siç e quan ajo fisnor, opinionet e më të moshuarve kanë më shumë rëndësi, duke i lënë anash të rinjtë dhe duke mos u ofruar platforma që të edukohen për atë se çfarë ka ndodhur.