Bajrami tallet me Muratin: Çmimet janë rritë, jo pagat

Aktuale

Bajrami tallet me Muratin: Çmimet janë rritë, jo pagat

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 20:15
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Muratit, i cili ka potencuar se “pagat në sektorin publik në vitin 2023, janë rritur në vitin 2024 dhe tani po rriten edhe në vitin 2025”.

Sipas saj rritje të vetme gjatë kësaj qeverisje kanë pësuar çmimet e produkteve esenciale, e jo pagat e qytetarëve, transmeton albanianpost.

“Ministri sigurisht ka menduar për çmimet, se çmimet janë rritë në 2021, janë rritë në 2022, janë rritë në 2023 dhe po rritën në 2024”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Bajrami ka kujtuar se Qeveria aktuale e Kosovës ka rritur pagat vetëm për “kryeministrit, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, asistentët e tyre për 45 për qind, dhe atë në fillim të mandatit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

“Do të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik në fillim të vitit të ardhshëm, duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjate të buxhetit dhe sipas ligjit në fuqi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro. Mirëpo, rritet sasia e koeficienteve për njësi”, shpjegoi ai.

Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2025 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat