Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj ka njoftuar se xhirollogaria bankare e kësaj komune është zhbllokuar.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka falënderuar mediat për angazhimin e tyre pasi sipas tij presioni publik dha rezultat.
“Presioni publik dha rezultat. U njoftova se xhirollogaria e Komunës së Suharekës është tashmë aktive. Faleminderit mediave kudo për angazhimin e sotëm. Sigurisht do të njoftohemi se sa është shpenzimi financiar. Puna do të vazhdoj e nuk do të ndalemi asnjëherë, për shërbim ndaj qytetarëve”, ka shkruar ai.
Të hënën Muharremaj, njoftoi se institucionet e nivelit qendror kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë të Komunës së Suharekës.
Sipas tij bllokimi ndodhi si pasojë e kontratës kolektive dhe kërkoi që të mos mbesin peng i një marrëveshje të cilën tha se duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës.
Ndërsa, Ministri i Financace, Hekuran Murati e quajti dezinformatë, duke thënë se Qeveria nuk mbyll llogari bankare të komunave, por përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore.
“Dezinformatat nuk kalojnë!Kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen. Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave. Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, ka shkruar ai.