Nënkryetari i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se veriu i Kosovës është shndërruar në një platformë elektorale e jo shtetërore.
Sipas Hoxhajt, kjo platformë po e mban në pushtet kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë e ndërsa në Beograd presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin.
“Veriu i Kosovës është një platformë mjerisht elektorale, jo shtetërore. Veriu është një platformë, e cila e mban në pushtet Albin Kurtin në Prishtinë e Aleksandër Vuçiqin në Beograd dhe herët ose vonë njerëzit do ta kuptojnë se si duket ky tregimi për veriun”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” .
Ish-ministri i Jashtëm thotë se në veri sheh më shumë tani dezintegrim të komunitetit serb se vite më parë.
“Kjo politikë, e cila është populiste, elektorale, të cilët njerëzit kanë dëshirë ta dëgjojnë nuk i përmbush pritjet e shtetit të Kosovës… Sot, kemi përfunduar në një situatë që në dy vitet e fundit unë shoh më shumë dezintegrim të komunitetit serb dhe më shumë presion të partnerëve tanë ndërkombëtarë… është shkatërruar boshti të cilin ne e kemi ndërtuar shtetin sovran dhe të pavarur. Kurti këtë e bën për ta përmbysur Pakon e Ahtisaarit. Kush ka interes tjetër që të përmbyset kjo Pako e Ahtisarrit mbi të cilën ne e kemi shpallur Pavarësinë e Kosovës? Serbia. Këtu, pra politika e Albin Kurtit puqet me atë që e ndjekë Serbia”, deklaroi tutje Hoxhaj.