Analisti politik, Gazmend Raci, ka arsyetuar mospërfundimin e projekteve infrastrukturore gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Ai tha se ka projekte që kanë nisur, por që për shkak të proceseve gjyqësore si pasojë e “projekteve pa projekte” të qeverive të kaluara, kanë mbetur pa u përfunduar.
“Rrugën e Pejës që po kryhet, nuk e përmend kush. Kanë hyrë me hapë rrugën e Gjakovës pa projekt, dhe fati që ka ndodhur ndryshimi i Qeverisë, sepse do të mbeteshin mijëra banorë pa ujë. Ose rrugën e Podujevës e të Mitrovicës që po kryhen”.
Ai tha se në dy vitet e para është dashur të ndërpriten projektet “që kanë qenë pa projekte”.
Tutje, ai foli edhe për autostradën e Gjilanit, për të cilën kryeministri Albin Kurti pati thënë se do të përfundojë në vitin 2023.
“Autostrada e Gjilanit është duke u punuar. Çka të bëjmë tash, a ta shtijmë kryeministrin ta çelë bjeshkën me gjoks a? Ka pas me u kry, ka ndodhur në atë kodrën e famshme që është shembur. Çka të bëjmë tash, Zotit e ligjit të natyrës, çka t’i bëjmë? Me dal me lopata ta hapim, a?”, u shpreh Raci.