Kuvendi ka miratuar Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. Një nen i këtij projektligji u mundëson qytetarëve nga Lugina e Preshevës që të kenë pronësi mbi pronën e tyre në Kosovë. Por, pajtueshmëri të gjithë mazhorancës nuk po ka në secilin projektligj. Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim për projektligjin për gjendjen civile.
Mazhoranca ka qenë kundër edhe projektligjit për automjete, ku nëntë deputetë votuan për, kundër tij ishin 52 deputetë.
Derisa ka kërkuar mbështetjen e këtij projektligji, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se ka shumë familje që nuk përballojnë që të blejnë vetura të reja.
Lushtaku: Duhet të hiqet mundësia që të largohet kufizimi për blerjen e veturave më të vjetra se 10 vjet
“Ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve që të ketë një ndryshim të Ligjit për Automjete, kryesisht prej familjeve me standard më të ultë duke ditur që e kanë të vështirë që të blejnë një veturë me një standard ekonomik të familjeve të ulëta dhe të mesme dhe prandaj duke parë që ligji për automjete ja ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, unë e kam propozuar që ky kufizim të largohet meqë në ligjin për automjete i kemi dy standarde dhe ato standarde të dyfishta gjë që nuk ndodhë as në Evropë”, deklaroi Lushtaku.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Mjedis, Fitore Pacolli shprehi kundërshtinë e saj për këtë propozim.
Pacolli: Kërkojmë nga deputetët që të mos i votojnë
“Komisioni i ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhur nga deputeti Mërgim Lushtaku. Komisioni mendon se propozimet janë jo profesionale, prandaj edhe i kërkojmë deputetëve që të mos i votojnë. Po ashtu, Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës është duke punuar në hartimin e ligjit të ri, i cili rregullon të gjitha problemet që janë paraqitur me ligjin ekzistent”, deklaroi ajo.
Në seancën e sotme plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca u ka tërhequr vërejtjen anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët nuk po marrin pjesë në seanca plenare. Në rend dite ka qenë shqyrtimi i projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore, por i pranishëm nuk ishte ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Konjufca: I ftojmë kabinetet e ministrave të jenë më të vëmendshëm
“I ftojmë kabinetet e ministrave të jenë më të vëmendshëm të shikojnë kur është seanca dhe kur i kanë projektligjet”, u shpreh Konjufca.
Me 61 vota për është miratuar Ligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se një nen i këtij ligji mundëson që qytetarët nga Lugina e Preshevës të kenë pronë në Kosovë.
Rrustemi: Një nen esencial iu mundëson qytetarëve nga Lugina për të pasur pronësi mbi pronën në Kosovë
“Komisioni për Legjislacion e ka trajtuar projektligjin në mes dy leximeve, bëhet fjalë për një ndryshim të kufizuar në një nen esencial që iu mundëson bashkëkombësve tanë nga Lugina e Preshevës për të pasur pronësi mbi pronën edhe në Kosovë”, tha Rrustemi.
Ndërkaq, vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim për projektligjin për gjendjen civile.
Konjufca: Ky projektligj nuk ka pajtim në grupin e mazhorancës
“Vetëm 48 deputetë kanë marrë pjesë në votim, ky është një projektligj siç duket që nuk ka pajtim në grupin parlamentar, në grupin e mazhorancës. Kështu që nuk kemi mundësi ta trajtojmë. Kërkoj që projektligji të zhvendoset”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Nuk është miratuar as projektligji për provimin e maturës shtetërore.
Ndërkaq, me 62 vota për , asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Ligjin për Rrugët.