Dosja e Prokurorisë ndaj zyrtarit policor dhe dy të dyshuarve tjerë që u arrestuan për shitblerje të narkotikëve

Aktuale

Dosja e Prokurorisë ndaj zyrtarit policor dhe dy të dyshuarve tjerë që u arrestuan për shitblerje të narkotikëve

Më: 30 tetor 2024 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Arbër Rexhepi dhe dy të dyshuarve tjerë Bleart Rexhepi dhe Fluart Mirena, të cilët u arrestuan të hënën për shitblerje të narkotikëve.

Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se tre të dyshuarit pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Aty thuhet se më 28 tetor 2024, rreth orës 19:10, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, Policia kishte ndalur një veturë në të cilën ndodheshin Bleart Rexhepi së bashku me zyrtarin policor, Arbër Rexhepi. Pas kontrollit që ka bërë Policia, të dyshuarit Arbër i është gjetur 0.3 gramë kokainë dhe një telefon i tipit Samsung. Ndërsa, të pandehurit tjetër Bleart Rexhepit, Policia ia kishte gjetur 1.8 gram marihuanë dhe dy telefonë.

Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit i kishin blerë substancat narkotike nga i dyshuari Fluart Mirena në dyqanin e këtij të fundit.

Më tej, thuhet se gjatë kontrollit në dyqanin e Mirenës, fillimisht atij i janë gjetur dhe sekuestruar 520 euro, dy telefona, kurse në dyqan një kuti me 98,7 gramë marihuanë, në një qese tjetër janë gjetur 0.8 gram substancë narkotike e njëjtë si dhe një qese me 0.6 gram kokainë. Në mesin e gjerave të gjetura dhe sekuestruara në dyqanin e Mirenës janë edhe tri thika-briska.

Kurse pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Mirena në Prishtinë, thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar 3.3 gramë marihuanë në një qese, 256.2 gramë marihuanë në një paketim, një peshore digjitale si dhe 4 mijë e 350 euro para të gatshme. Policia ka kontrolluar edhe banesën e të pandehurit Mirena në Fushë-Kosovë, ku ka gjetur 8.6 gramë marihuanë në dy qese të ndara.

Si rrjedhojë, sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se Fluart Mirena, Arbër Rexhepi dhe Bleart Rexhepi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 lidhur me nenin 275, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 me nenin 31 të Kodit Penal.

Prokuroria në kërkesën e saj ka konsideruar se janë plotësuar të gjitha kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve. Fillimisht, thuhet se është përmbushur kushti i ekzistimit të dyshimit të bazuar se tre të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se nëse të pandehurit lihen në liri, do të ikin me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale apo do të pengojnë rrjedhën e procesit duke ndikuar tek njëri-tjetri.

Gjithashtu, thuhet se paraburgimi duhet të caktohet për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, si dhe nga shkresat e lëndës rezulton se Fluart Mirena dhe Bleart Rexhepi janë përsëritës të veprave penale me narkotikë.

Si rrjedhojë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për tre të pandehurit me arsyetimin se asnjë masë tjetër alternative nuk siguron praninë e tyre gjatë zhvillimit të procedurës.

Ndryshe, të martën Policia njoftoi se se lidhur me përfshirjen e zyrtarit policor në këtë rast, menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor (IPK) për procedurat e metejme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat