Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka thënë se pas dështimit të mbledhjes ku do të raportonte drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba i ka penguar edhe të bashkëbisedojnë.
Madje, Musliu ka thënë se Zyba përveç pengesës, ka bërë “presion direkt” ndaj drejtorit Ajeti.
Kryetarja ka theksuar se Ajeti është ftuar për të diskutuar për dy çështje, për raportimet se disa gazetarë po përcillen nga agjentët e AKI-së dhe për ndërhyrjen e Dejona Mihalit në institucionet vendimmarrëse.
“E patë se çka ndodhi në mbledhje, u pengua që të mbahet mbledhja. Duke ndjekur me shqetësim, me mbështetjen e 1/3 të komisionit, kemi ftuar për raportim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, për raportimet se disa gazetarë po përndiqen nga zyrtarë të AKI-së dhe ndikimin e Dejona Mihalit në disa institutcione të rëndësishme”.
“Jemi në përfundim të mandatit dhe çdo iniciativë hetimore do të merret si fushatë zgjedhore dhe bazuar se këto iniciativa mund ta dëmtojnë më tepër AKI kishte dakordancë dhe vullnet që të vazhdojmë me mbledhje”.
“Kërkuam që të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe te mos i nënshtrohemi. Për të qenë më e qartë, misioni i AKI-së është identifikimi i kërcënimeve të sigurisë, stabiliteti ekonomik, kurse Komisioni mbikëqyr AKI-në, buxhetin e kështu më radhë”.
Ajo ka thënë se megjithëse u pengua mbajtja e mbledhjes së Komisionit, ajo ka pasur një bashkëbisedim me Ajetin, gjë e cila, siç deklaroi ajo, u pengua sërish nga deputeti i VV-së, Salih Zyba.
“E potencova, që pati tentime që të pengohet edhe bashkëbisedimi me drejtorin Ajeti, nga deputeti i VV-së, Salih Zyba. Përveç pengesës sime, bëri presion direkt ndaj drejtorit të AKI-së”, ka thënë ajo.