Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar dy rezolutat e propozuara nga partitë opozitare lidhur me komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radoiçiq, si dhe rezoluta lidhur me mungesën e ushqimit për ushtarët e FSK-së.
Kundër tekstit të rezolutës lidhur me komunikimet e Kusari-Lilës me Radoiçiqin votuan 60 deputetë kurse vetëm 1 votë ishte pro.
Me këtë rast kryeparlamentari Glauk Konjufca ironizoi me votën që ishte pro.
Ai fillimisht u dëgjua duke thënë me shaka se “Kush po bënë presion bre”. Pasi që herën e parë nuk kishte kuorum, rezoluta u hodh në votim sërish.
“S’kemi kuorum, e pse me hedh edhe njëherë në votim a ketë në sallë a jo”, iu drejtua Konjufca deputetëve të LVV-së, pasi që deputetët e opozitës nuk ishin prezentë.
Pas herës së dytë kur edhe u rrëzua kjo rezolutë, Konjufca i cili ishte në humor të mirë ironizoi me votën pro.
“Jo që ka gabu por për mësysh ma merr mendja, konsideroj se rrëzohet kjo rezolutë”, tha ai.
Në seancën e sotme ka dështuar të miratohet edhe rezoluta për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës, pasi 61 deputetë votuan kundër.
Po ashtu, nuk u miratua as rezoluta për “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.