Eksperti për çështje të sigurisë Avni Islami u ka bërë sot thirrje partive politike të tregohen të kujdesshme ndaj punës së AKI-së, pas pretendimeve për ndërhyrje në media dhe përcjellje të disa gazetarëve.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se drejtori i AKI-së Petrit Ajeti gjatë takimit të sotëm me Komisionin parlamentar, dëshmoi pastërtinë e institucionit që drejton lidhur me akuzat e fundit për ndërhyrje në media dhe përcjellje të disa gazetarëve.
“Po ashtu, kryetarja e Komisionit Parlamentar për AKI-në theksoi se edhe nga ana e disa gazetarëve ka pasur sulme ndaj AKI-së”, ka shkruar Islami.
“U bëj thirrje partive politike, qoftë në pozitë apo opozitë, të tregojnë kujdes dhe të shmangin shpërqendrimin e punës së AKI-së me çështje politike”, ka përfunduar ai.