Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti të mërkurën takimin e rregullt për Kosovën.
Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ndërsa Serbia nga Ministri i saj i Jashtëm Marko Gjuriç.
Pas mbajtjes së takimit, ministrja Gërvalla ka thënë se Kosova e ka të vërtetën në anën e saj dhe sot e gjithë bota e dëgjoi të vërtetën.
“Përfaqësuesit e UNMIK-ut sot përsëri dëshmuan para gjithë botës që nuk qëndrojnë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe jo rrallë shërbehen me propagandën që iu servohet. Ka ardhur koha të përmbyllet ky mision”, thotë ajo.
Postimi i plotë:
Kosova e ka të vërtetën në anën e saj dhe mbrojtja e kësaj të vërtete është detyrë primare dhe privilegj i madh.
Para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në përballjen e parë para Kombeve të Bashkuara me Ministrin e Jashtëm të Serbisë Marko Gjuriq, u pa qartë që vetëm fytyrat kanë ndërruar, por jo edhe strategjia për të luftuar Republikën e Kosovës me gënjeshtra, sajime dhe propagandë.
Bota sot e dëgjoi të vërtetën. E dëgjoi të vërtetën edhe për aleatin e Radojçiçit, Markon e veshur me petkun e tejdukshëm të evropianit, nën të cilin nuk fshihen dot synimet e qarta hegjemoniste të Vuçiçit dhe djelmoshave të tij.
Përfaqësuesit e UNMIK-ut sot përsëri dëshmuan para gjithë botës që nuk qëndrojnë gjithmonë në anën e së vërtetës dhe jo rrallë shërbehen me propagandën që iu servohet. Ka ardhur koha të përmbyllet ky mision.