Kurti ia hedh valles në përurimin e rrugës që lidh brezin kufitar të Kosovës me të Shqipërisë

Aktuale

Kurti ia hedh valles në përurimin e rrugës që lidh brezin kufitar të Kosovës me të Shqipërisë

Më: 30 tetor 2024 Në ora: 23:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është bashkuar valles së banorëve të tri fshatrave të Dragashit, të cilët sot kanë festuar përurimin e asfaltimit të  rrugës për banorët e kësaj ane që lidhin brezin kufitar të Kosovës me atë të Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se banorët e kësaj ane “ishin të lidhur me rrugë me shumë gropa që u shkaktonte vështirësi të mëdha për qarkullim”.

“Tani lidhjen e kanë më të fortë sepse do të jenë më shpejt pranë njëri-tjetrit. Banorët e fshatrave që lidhin brezin tonë kufitar me atë të Republikës së Shqipërisë, Kërstec-Pakishtë-Zapod, nga tash e tutje do ta kenë më të lehtë qarkullimin me infrastrukturën e re rrugore të cilën e përuruam sot”.

Ai tha se “përurimi i rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod, me gjatësi 6.3 kilometra dhe investim prej 2.6 milionë euro, na përcolli me pritje të ngrohtë dhe me këngë dhe valle”.

“Si për të na treguar mikpritjen e bujshme shqiptare dhe sesa e rëndësishme është kjo rrugë për ta, na bënë pjesë të festës e gëzimit të tyre edhe mua, ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, ambasadorin tonë në Shqipëri, Skender Durmishi, Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Albert Bislim Halilaj, deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh ish-kryeministri i Shqipëri, Pandeli Majko, dhe ish-ambasadorin, Qemal Minxhozi”, ka shkruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka shkruar se “Kjo rrugë është njëra nga tre rrugët pjesë e protokollit të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në shtator të vitit 2023. Ajo lidh fshatrat Pakishtë dhe Zapod të Shqipërisë me Republikën e Kosovës, përkatësisht komunën e Dragashit. Dy rrugët tjera janë Rruga Blinishtë – Dobrunë, që tashmë është ndërtuar, dhe rruga Gorozhup – Pogaj që është në ndërtim e sipër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat