LIVE: “Mbylle gojën”, “Ti ke qit gaz lotsjellës” - Përplasje të ashpra në Kuvend

Aktuale

LIVE: “Mbylle gojën”, “Ti ke qit gaz lotsjellës” - Përplasje të ashpra në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 31 tetor 2024 Në ora: 06:36 Përditësuar në ora: 12:12 më 31.10.2024
Kuvendi i Kosovës

Përplasje në Kuvend, Abazi-Bogujevcit: Ti ke qit gaz lotsjellës

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda e Bogujevci, ka pasur një përplasje me deputetin e pavarur, Haki Abazi për “mosvazhdim të fjalës”.

Megjithëse Bogujevci tha se ia ka vazhduar fjalën deputetit Abazi, ai e mohoi këtë.

Madje ky i fundit iu drejtua njërit prej deputetëve të pushtetit me fjalët “mbylle gojën”.

“Pse çdo herë duhesh me kriju skena të tilla. Ta vazhdova fjalën”, tha Bogujevci, teksa Abazi këmbngulte për të kundërtën.

“Ti ke qit gaz lotsjellës”, iu përgjigj Abazi.

Selmanaj paralajmëron Kurtin: Kjo logjikë qeverisëse do të marrë fund më 9 shkurt

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në fjalën e tij, Selmanaj ka numëruar gjetjet e Raportit të Progresit të BE-së për Kosovën.

Sipas Selmanajt, Qeveria Kurti ka zgjedhur rrugën e izolimit dhe autoritarizmit.

Megjithatë, Selmanaj vlerësoi se kjo logjikë qeverisëse do të marrë fund më 9 shkurt, data kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

“Të vetmen rrugë që e ka zgjedhur kjo qeveri është izolimi, autoritarizmi dhe përpjekja për fundin e demokracisë, por kjo normalisht që nuk do të lejohet. Jemi të bindur që kjo nuk do të ndodh dhe kjo logjikë qeverisëse e tillë çfarë ka qenë për katër vite do të merr fund me 9 shkurt”, tha Selmanaj.

Zejnullahu: Mbi gjysma e Prishtinës pa ujë të pijshëm, Qeveria s’ndërmerr asnjë hap të vetëm

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu e ka ngritur në Kuvend çështjen e mungesës së ujit të pijshëm në një pjesë të kryeqytetit si pasojë e ndotjes së liqenit të Badocit me sasi të madhe të manganit.

Ajo tha në seancën e sotme se “qindra mijëra qytetarë janë detyruar të blejnë ujë çdo ditë”.

“Sot jam këtu për të folur për një krizë të madhe që ka rënduar e po rëndon mbi gjysmën e Prishtinës. Tashmë prej tri javësh, kryeqyteti po përballet me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të pranisë së manganit në ujin e liqenit të Badocit”, tha Zejnullahu.

Ajo tha se “këta qytetarë po e ndjejnë rëndesën e një keqqeverisjeje”.

“Kjo situatë alarmante është pasojë e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësie e cila është bërë normë në këtë qeveri që po luan me jetën dhe shëndetin e qytetarëve të saj”, tha ajo.

Zejnullahu tha se Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj krize.

“Në vend që qeveria me vepru, me marrë masa parandaluese dhe sanuese të këtij problemi, ajo vazhdon me qëndru e heshtur dhe pasive”, tha ajo.

Deputetja tha se Qeveria s’ndërmori “asnjë hap të vetëm konkret për pastrimin e liqenit të Badocit” apo “për krijimin e alternativave të tjera për furnizim me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës”.

“Sipas ligjit për ujërat, kryeministri është kryetar i këshillit ndërministror për ujëra, dhe si rrjedhojë, ai është i detyruar që të vijë në Kuvend e të raportojë për këtë situatë”, tha ajo.

​Ujkani: Raporti për vendin evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se raporti për vendin evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme që përfshijnë reformat institucionet, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani u shpreh se Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e standardeve ekonomike dhe të Bashkimit Evropian.

Këto komente Ujkani i bëri në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ujkani: Kemi progres në përmbushjen e standardeve të BE-së

“Gjatë tre viteve të fundit raportet e Progresit Evropian kanë theksuar arritjet e rëndësishme legjislative të Kosovës në kriteret politike dhe progresin e saj në përmbushjen e standardeve ekonomike dhe të BE-së. Në agjendën e BE-së qeveria jonë është vlerësuar pozitivisht në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA2 duke arritur mbi 70% zbatueshmëri. Gjithashtu programi kombëtar për integrimin evropian i fokusuar në zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit ka pasur një normë vjetore të zbatimit që ka kalon 60%”, theksoi ajo.

Deputetja nga radhët e LVV-së, Fjolla Ujkani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpreh se raporti për vendin tregon për progres në luftën kundër korrupsionit, reformat në administratë publike, kulturë, arsim e punësim.

“Ky raport evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme që përfshijnë reformat institucionet, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal... nuk ka fusha të vlerësuara me regres si në vitet e kaluara. Në shumë fusha ne kemi kaluar një hap më lartë në shkallët e progresit siç janë lufta kundër korrupsionit, reforma e administratës publike, politikat ekonomike dhe monetare funksionimi i ekonomisë së tregut, arsimi dhe kultura, politika sociale dhe punësimi”, shtoi ajo.

Deputetja, Ujkani theksoi se heqja e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja karshi Kosovës do të ringjallte dhe përshpejtonte reformat.

Ujkani: Heqja e masave të BE-së të përshpejtonte më tej reformat tona

“Heqja e masave ndëshkuese të vendosura nga BE do të ringjallte motivimin tonë dhe do të përshpejtonte më tej reformat tona. Përkushtimi i Kosovës do të forcohet edhe më shumë pasi të arrij statusin e vendit kandidat duke e bërë rrugën tonë drejtë BE-së më të qartë dhe më të prekshme”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së: 10 pjesëtarë të FSK-së u dorëhiqen për një muaj, ja ku e keni sjellë vendin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se dhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje në tetor.

“Dhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë dhënë dorëheqje nga FSK-ja vetëm në muajin tetor.

Pra merreni mend, dhjetë pjesëtarë të FSK-së.

Ja ku e keni sjellë vendin”, tha ajo në seancën e Kuvendit.

Seanca nis një orë me vonesë, vjen Konjufca

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur një orë me vonesë.

Në seancë tashmë ka ardhur edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Mirëpo, edhe me pjesëmarrjen e tij në këtë seancë, pozita prapë nuk mund t’i arrijë 61 vota për kourum.

Opozita s’pajtohet të nisë seanca, kërkojnë të votohet kuorumi

Tri partitë opozitare nuk kanë pranuar që të fillojë seanca pa u hedhur në votim pjesëmarrja e tyre, me arsyetimin se çdo seancë kërkohet të fillojë me votim.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se deri më tani ka ndodhur një praktikë e tillë.

“Fillimin e seancës duhet ta konfirmojmë me votim dhe nuk duhet të fillojë ndryshe. Deri sot kuorumin e kemi bërë me votim”, tha Tahiri.

Mirëpo kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se seanca duhet të vazhdojë edhe pa e konfirmuar kuorumin.

Partitë opozitare as sot nuk votojnë pjesëmarrjen në seancë

Partitë opozitare sërish nuk e kanë votuar pjesëmarrjen në kuvend, njëjtë siç kanë bërë edhe në seancën e djeshme.

Në këtë formë, pozita prapë nuk mund t’i arrijë 61 vota për kourum.

Vështirësitë shtohen për pushtetin pasi mungon edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

Seanca po vazhdon.

Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite 27 pika

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare ku në rend dite 27 pika.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vazhduar me propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare dhe propozim-Vendimin për hartimin e Nismës legjislative të qytetarëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-295 për kripto-asetet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues, shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovë, zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

Po ashtu do të bëhet emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,

shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,

shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Deputetët do të bëjnë edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur, shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034y themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabaniy shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023 dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat