Jakaj: Kur shumica parlamentare nuk merr pjesë në seanca të thirrura nga opozita, shkel Kushtetutën

Aktuale

Jakaj: Kur shumica parlamentare nuk merr pjesë në seanca të thirrura nga opozita, shkel Kushtetutën

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 09:12
Naim Jakaj

Bojkoti i seancave parlamentare shkel Kushtetutën e Kosovës, vlerëson Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD).

Jakaj thotë se partia në pushtet po shkel tri dokumente të rëndësishme të Kosovës.

“Kur shumica parlamentare nuk merr pjesë në seancat plenare të thirrura nga opozita kemi të bëjmë me një situatë ku shkelet Kushtetuta e Kosovës, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit. Grupi Parlamentar i LV-së, po i shkel të tre këto dokumente në mënyrë të hapur”, tha Jakaj.

Jakaj nga IKD-ja theksoi detyrimet e deputeteve që kanë karshi Kushtetutës dhe Ligjit.

 “Deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos atë në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor”.

Tutje, ai thotë se deputetët duhet të angazhohen për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse”.

Bojkoti i seancave siç po ndodh me “Vetëvendosjes” nuk ka ndodhur më herët, thotë Jakaj nga IKD.

“Në legjislaturat e kaluara nuk ka ndodhur bojkot i tillë, siç  po ndodh në Legjislaturën e VIII-të. Ka pasur raste kur është lëshuar salla në mes të një seance për ndonjë çështje që ka ndodhur në atë seancë”, u shpreh Jakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat