Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për KPM-në, KQZ-në dhe ZRrE-në për vitin 2023.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se raportet janë të pamodifikuara për të tria institucionet.
“Është vetëm një gjetje për Komisionin e Pavarur për Media dhe gjetja ka të bëjë me pozita të larta udhëheqëse me ushtrues detyre. Po e kryeshefit ekzekutiv në KPM funksionon për një kohë të gjatë me UD, saktësisht nga korriku i vitit 2021 dhe ju e dini se kjo nuk është e lejuar as me Ligjin për Zyrtarët Publikë”, tha Bajrami, teksa vazhdoi me gjetjet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Aty tha se janë dy gjetje.
“Raporti i auditimit për KQZ-në ka opinion të pamodifikuar dhe ka dy gjetje. Njëra ka të bëjë me mosrespektim të procedurave për servisim të automjeteve dhe tjetra ka të bëjë me moskryerjen e inventarizimit të pasurisë brenda afateve ligjore”, tha Bajrami.
Ndërsa raporti i auditimit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Bajrami tha se janë tri gjetje dhe opinioni është i pamodifikuar.