Komisioni Evropian ka konstatuar se debatet parlamentare për Projekt-Kodin Civil, i cili u lejon regjistrimin në bashkësi civile personave të gjinisë së njëjtë, kanë nxitur gjuhë të urrejtjes.
Në Raportin e Progresit për vitin 2023, të publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian ka gjetur se shkaku i debateve parlamentare për Projekt-Kodin Civil është shkaktuar gjuhë diskriminuese në internet.
“Kodi Civil, i cili mund t’i hapë rrugë krijimit të legjislacionit për bashkësitë civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, është në pritje të miratimit. Debatet parlamentare rreth kësaj teme shkaktuan gjuhë diskriminuese dhe të urrejtjes”, thuhet në Raportin e Progresit.
Po ashtu, raporti ka gjetur se personat LGBTIQ vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe me mungesë të aksesit në shërbime.
“Kushtetuta dhe ligjet janë kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane. Në praktikë, personat lezbike, homoseksualë, biseksualë, trans, jobinarë, interseks dhe queer (LGBTIQ) vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe kanë akses të kufizuar në shërbime, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, psikosociale dhe ligjore”, theksohet në raport.
“Kosova nuk ka miratuar një strategji dhe plan veprimi për të drejtat e personave LGBTIQ, as nuk kanë zhvilluar ndonjë fushatë ndërgjegjësuese. Qeveria i dha publikisht përkrahje Javës së Krenarisë dhe Paradës së Krenarisë. Përgjigjet institucionale ndaj gjuhës së urrejtjes në internet dhe homofobisë janë të paqëndrueshme”.