Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur në lidhjet me projektet rrugore, duke thënë se në masën dërmuese ato po shkojnë në trendët normale.
Aliu tha se problemet më të mëdha janë në autostradën Prishtinë – Gjilan dhe në rrugën Dollc – Gjakovë.
“Problemet që kanë më së shumti vështirësi është rruga Prishtinë – Gjilan, dhe rruga Dollc – Gjakovë. Kur flasim për rrugën e Pejës, 240 milionë ka qenë i paraparë ndërtimi fillimisht dhe tash po ndërtohet me ritëm normal dhe ka me kushtu rreth 90 milionë”.
“Kur flasim për rrugën Dollc – Gjakovë dhe autostradën Prishtinë – Gjilan, janë dy rrugët që jemi marrë më së tepërmi. Por, ka probleme të përditshme sepse mënyra e kontraktimit dhe projektimit të tyre ka ndodhur në kohë fushatash, me probleme qoftë në projektim dhe të cilat vazhdojmë sot të kemi telashe. Progres ka më të ngadaltë, por ka progres”, tha Aliu
Tutje, ai foli edhe për rrugën Prishtinë – Podujevë, për të cilën tha se ka qenë rruga me probleme të shumta nga e kaluara, por sipas tij, është arritur që të përmbyllen një pjesë e madhe e tyre.
“Kemi hapur tenderin nga Bardhoshi deri në Lluzhan dhe deri në Podujevë me i realizu ato pjesët e objekteve. Prapë po shkojnë sipas trendit normal. Së shpejti do të asfaltohen të katër shiritat te rruga e Podujevës. Probleme ka të ndryshme tek ndërtimi i urave, ndër të tjera ka që vijnë nga ndërmarrje të tjera që vijnë nga KEDS-i apo ndërmarrje të tjera, që i kanë të vendosura shtyllat, që janë probleme brenda suazave normale”, tha tutje Aliu.
Kurse, për sa i përket Urës së Badocit, Aliu tha se ka qenë urë me probleme në projektim që nga fillimi, por sipas tij, edhe ndërtimi i saj po ecë me trend të shpejt.
“Edhe te Ura e Badocit, ka qenë urë me probleme në projektim që në fillim, që ka qenë problemi, mos të harrojmë që rruga e Badocit ka qenë rrugë që ka ndodhur befas, pra dëmtimi i saj ka ndodhur i befasishëm. Projekti është bërë, por me gabime. Është rishikuar projekti dhe tash po ecë me një trend mjaft të shpejtë dhe po kryhet sipas afateve të veta”, tha ai.