Ish kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, njëherësh ish zëvendëskryeministre, ka folur për zhvillimet politike në vend, Asociacionin, urën e Ibrit, marrëdhëniet me ndërkombëtarët, masat e BE-së, e të tjera.
Lidhur me Asociacionin, që është bërë së fundi sërish çështje aktuale, ajo thotë se Kurti ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar, ndërsa që tani masat nuk po hiqen pa u bërë Asociacioni.
Por, ajo thotë se derisa Kurti është kryeministër, duhet t’i plotësojë obligimet shtetërore.
“Në fakt Asociacioni është një prej sfidave kryesore për Kurtin, sepse ai ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar atë dhe tani i ka ardhur koha që ta zbatojë, që drafti të shkojë në Kushtetuese, siç e kërkoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, që nuk e tha në mënyrë eksplicite por tha që për t’i hequr sanksionet Kosova ka shumë punë për të bërë dhe dihej që fliste për Asociacioni dhe ajo pasi shkoi, Kosova është që 1 vit nën sanksione dhe po vazhdon, dhe sapo ajo shkoi filluan me deklarata Kurti e Konjufca, filluan ta lëvdojnë. Dikur vet Glauku kishte thënë se ishte i mirë, pastaj jo nuk është i mirë, pastaj prapë janë kthyer se është i mirë. Me këto deklarata janë të vetëdijshëm se duhet të zbatohet por nuk duan ta zbatojnë deri pas zgjedhjeve, sepse dihet që do t’i kushtojë me humbje në zgjedhje, por sido që të jetë Kurti është kryeministër, obligimet shtetërore janë sikur kanë qenë edhe për neve”, shprehet Tahiri.
Sipas saj, Kurti e ka rrëzuar Kosovën në dy gjunjë. Po ashtu, thekson se Kurti duhet të shpjegojë se pse ka ndodhur sulmi në Banjskë nëse atje ka sovranitet dhe pse u ndëshkua Kosova nga BE.
“Duke mos i plotësuar ato, kurti në fakt e rrëzoi Kosovën në dy gjunjë. Me disa fakte, e para Kosova është e izoluar që 1 vit e ndëshkuar, kjo qeveri asnjë njohje s’ka sjellë për 4 vite, pastaj Kurti thotë se ka shtrirë sovranitetin në veri, ndërkohë që fare nuk ka institucione shtetërore në veri, nuk janë gjykatat e Kosovës, Policia e pakompletuar sepse ka vetëm përbërje shqiptare dhe duhet të ketë edhe serbe. Pastaj kemi dhe çështjen që nëse Kurti paska pasur sovranitet në veri, pse ka lejuar krijimin e grupi terrorist në Banjskë dhe të armatoset, kur ti ke sovranitet ti e mbron shtetin dhe nuk lejon të ndodhin, siç ndodhi edhe sulmi. Obligimi i Kurtit është që t’ua shpjegojë qytetarëve se pse edhe ndodhi sulmi në Banjskë, edhe u ndëshkuam dhe sot e kësaj dite kjo mbetet enigmë”, vlerëson Edita Tahiri.
Ajo është e mendimit se nuk e di nëse Kurti do të vijë sërish në qeveri, por thotë se Kosova ka nevojë për një qeveria amerikane, ndërsa që Kurti është antiamerikan.
Sipas saj, duhet të ketë një strategji që Asociacioni të jepet në shkëmbim të hyrjes së Kosovës në NATO.
“A vjen a nuk vjen Kurti në qeveri në zgjedhjet tjera, nuk e dimë, por unë di diçka që mund të them. Kosova ka nevojë për dy gjëra, ka nevojë një qeveri amerikane dhe Kurti është antiamerikan dhe e dyta, unë vet kam qenë në dialog, në krye për shumë vite, fakti që ky dialog i bëri mbi 10 vite dhe s’po jep rezultate finale, marrëveshje finale, Kosova duhet ta ndërrojë strategjinë e politikës së jashtme dhe të drejtohet drejt NATO-s dhe unë mendoj që negociata më e mirë në këtë kohë nuk duhet të jetë negociatë siç e dha Kurti se e jap Asociacionin për të hyrë në KiE, pra nuk e dha Asociacionin e as nuk hymë në KiE. Koha është që Kurti apo nesër kushdo që vjen kryeministër, duhet të thonë, e japim Asociacionin, natyrisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, pa kompetenca ekzekutive, në shkëmbim me hyrjen e Kosovës në NATO. Kjo negociatë do ta nxjerrë me përfitim Kosovën”, deklaron ajo.
Por, sa mund të pranohet kjo kërkesë?
Tahiri shpjegon se duhen zgjidhje strategjike dhe duhen veprime për të përparuar shtetin.
“Në politikë dhe në marrëdhënie ndërkombëtare gjërat janë dinamike, lëvizin dhe nëse nisemi nga supozimi që nuk pranohet, s’mund të bëjmë asnjë veprim për të përparuar shtetin dhe në këtë kontekst çdoherë kur shtetit del me vizion dhe bën të qartë politikat e saj si të jashtme, si të brendshme, shteti duhet pastaj të punojë në marrëdhënie ndërkombëtare me gjuhën diplomatike të argumentimit, për të shpjeguar, p.sh. po të isha unë do të kisha thënë, po kërkojmë NATO sepse siç po e shihni Bashkimi Evropian 10 vjet e ndërmjetësoi këtë dialog mes Kosovës dhe Serbisë, që është shumë i rëndësishëm për paqen në Ballkan, por nuk arriti asgjë, pra ne nuk mund të rrimë tërë kohën në një paqartësi dhe në një pasiguri për shkak të këtij dialogu, pra Kosova të ecë drejt NATO-s, kjo është një zgjidhje për një paqe afatgjatë në Ballkan e Serbia e cila nuk e dëshiron NATO-n dhe është pro ruse, nuk po mjafton që BE po e ndëshkojnë në mënyrë të butë, më mirë është që ato dy karrige që po i mban Serbia, më mirë është partnerët t’i thonë, t’i dhamë shanset, ti po i mban dy karrige, tani ne nuk po të pranojmë në NATO, ti ec me Rusinë. Duhet të bëhen zgjedhje strategjike në Ballkan, nuk mund të mbetet Ballkani ende në një paqe të brishtë, e cila edhe më shumë është ndikuar dhe dobësuar për shkak të luftës agresore në Ukrainë dhe vonesave të BE-së për zgjerim. E tha von der Leyen, kam ardhur për zgjerim, ajo shkoi tani dhe ne nuk e dimë sa dekada mund të marrë zgjerimi, i cili ka filluar në vitin 2003 në Selanik, kur është premtuar që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare”, thotë Edita Tahiri.