Gazetari Vehbi Kajtazi, ka dhënë detaje në lidhje me pajisjen që i është gjetur sot në veturën e tij.
Kajtazi tha se vetura është zyrtare e portalit “Paparaci”, dhe gjatë kontrollit në servis të makinave, një nga punëtorët e ka vërejtur një pajisje të dyshimtë në anën e majtë të rrotës prapa.
“Më ka thirr dhe e kam pa edhe unë. Kishte të dhëna aty, numër serik dhe ku shkruante ‘GPS’. E kam lajmëruar policinë dhe ata i kanë lajmëruar njësitet e specializuara, që është njësia kundër bombave dhe e kanë marrë pajisjen dhe vazhdojnë me hetime”.
“Nga ajo që është parë, është pajisje përgjuese dhe është e vendosur si magnet në veturë. Veturën e kam marrë, vetura është në rregull, është kontrolluar nëse ka ndonjë mjet shpërthyes nga policia dhe më pas kam vazhduar për në stacion të policisë”, tha Kajtazi.
Tutje, ai tha se nuk ka dyshime se kush mund ta ketë vendosur këtë pajisje, por sipas tij, janë organet e rendit ato që duhet ta verifikojnë nëse ajo është e ndonjë institucioni apo grupi kriminal.
“Nuk kam dyshime, është policia ajo që duhet ta verifikojë se kujt i përket kjo pajisje se a është e ndonjë institucioni apo e ndonjë grupi kriminal dhe hetimi do ta vërtetojë një gjë të tillë”.
“Ka dy javë që flas publikisht për përgjim dhe vëzhgim të paligjshëm të gazetarëve. Fjala është për mua, Berat Buzhalën, Ilir Mirenën dhe Lirim Mehmetajn. Pra ka një përcjellje të kundërligjshëm që po ndodhë në Kosovë”, tha Kajtazi.