Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas zbulimit të një pajisjeje gjurmuese të fshehur në veturën e gazetarit kosovar, Vehbi Kajtazi.
AGK ka bërë thirrje të menjëhershme që autoritetet e sigurisë të ndërmarrin një hetim të plotë dhe transparent, për të zbardhur rrethanat që kanë çuar në vendosjen e pajisjes gjurmuese.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për rastin e gjetjes së një pajisjeje gjurmuese në veturën e gazetarit kosovar, Vehbi Kajtazi.
Duke e konsideruar si një rast të paprecedentë, AGK bën thirrje që autoritetet e sigurisë të hetojnë rastin në detaje dhe të zbardhin sa më shpejt rrethanat e kësaj ngjarjeje.
AGK do të përcjellë me vëmendje zhvillimet lidhur me rastin në fjalë, deri në sqarimin e tij të plotë nga autoritetet e sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.