Sindikata e Punëtorëve të “Trepës” kërkon që të kthehen në punë 13 minatorët e suspenduar

Aktuale

Sindikata e Punëtorëve të “Trepës” kërkon që të kthehen në punë 13 minatorët e suspenduar

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 17:42
Trepça

13 punëtorë të minierës së Trepçës janë suspenduar përkohësisht nga puna, pasi ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuzë për sulm ndaj personit zyrtar. Por nga Sindikata po kërkojnë që këta të rikthehen në punë deri sa Gjykata të marrë një vendim.

Në hyrje të minierës së Stantergut u janë vendosur emrat.

13 punëtorëve të kësaj miniere, që nga e marta u është ndaluar hyrja brenda.

Krejt pasi ndërmarrja “Trepça” ka vendosur t’i largojë nga puna përkohësisht këta punëtorë të nëntokës, me arsyetimin se të njëjtëve u është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Ata dyshohet se në vitin 2021 kishin sulmuar fizikisht ish ushtruesin e detyrës së kryeshefit të “Trepçës”.

Me këtë vendim të ndërmarrjes nuk po pajtohet Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.

Madje ata kërkojnë që vendimi të tërhiqet pasi të njëjtit edhe më herët ishin suspenduar nga puna.

“Mendojmë që është joligjore ky vendim edhe kërkojmë u revoku ky vendim sepse të njëjtit minatorë kanë marrë një masë paraprake për 5 muaj të larguar nga puna për shkak të incidentit që ka ndodhur, sulmit ndaj personit zyrtar. Mendoj që menaxhmenti është dashtë me prit fjalën përfundimtare të gjykatës pastaj është dashur të merret vendimi duke bazuar vendimin e gjykatës. Mendoj që është duke iu bërë një presion shumë i madh minatorëve ditëve të fundit”, tha Ibrahim Jonuzi nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.

Largimi i 13 punëtorëve sipas kryetarit të kësaj sindikate, Ibrahim Januzi do të ketë edhe efektin negativ.

“Në këtë situatë kanë lënë shumë keq sepse një pjesë janë xehetarë që janë të kyçur direkt edhe tu e marrë për bazë faktin e mungesës së fuqisë punëtore në minierë, mendoj që vendet e tyre kanë lënë hapësirë”, tha ai.

Duke mos dashur të komentoj vendimin e ndërmarrjes, edhe drejtori i minierës së Stan Tërgut thotë se largimi i këtyre minatorëve do të ketë ndikim në zvogëlimin e prodhimit.

“Çdo punëtor, po flas pavarësisht edhe largimi i atyre nga puna, por edhe ata që shkojnë në pushim mjekësor, edhe ata që shkojnë në pushim vjetor që kanë obligim dmth kanë ndikim”, tha drejtori Shyqyri Sadiku.

Sipas vendimit, këta punëtorë do të marrin vetëm 50% të pagës gjatë kohës sa janë të suspenduar dhe se Komisioni Disiplinor duhet të marrë vendim tjetër brenda 6 muajve nga marrja e vendimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat