Në seancën gjyqësore ndaj Gavrilo Milosavleviq, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës është dëgjuar një dëshmitar.
Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshminë para trupit gjykues në seancën e datës 31.10.2024 e dha dëshmitari Skender Rracaj.
Ai gjatë rrëfimit të tij deklaroi se në Burgun e Dubravës kishte shkuar në janar të vitit 1999 dhe kishte qenë i izoluar në pavijonin C, dhe kishte qëndruar deri më datë 19 maj, kur kishin filluar bombardimet e NATO-s.
Dëshmitari deklaroi se në mëngjesin e datës së 19 majit iu ishte bërë thirrja që të dalin në fushë dhe pasi ishin rreshtuar kishin filluar gjuajtjet me armë dhe si pasojë e kësaj kishin mbetur disa persona të vrarë.
“Më 19 maj në ora 06:00 të mëngjesit, kur na kanë bërë thirrjen me dalë në fushë, ku na kanë thënë se nuk ka kushte për me nejt, na kanë thirrë me karaull e cila i bjen kah bjeshkët e Istogut, aty na kanë bë thirrje m`u afru me afër karaulles për arsye me na numëru. Jemi bo të gjithë rresht, me të afruar afër karaulles, kanë fillu me gjuajt me armë të ndryshme ku kanë mbetur të vrarë 168 persona. Gjuajtjet kanë ardhur nga të gjitha anët, ka pasë gjuajtje edhe nga jashtë murit të burgut”- deklaroi dëshmitari Skender Rracaj.
“Pas asaj kemi bo na tërheqje ku jam kanë vet i plaguar në këmbën e majtë edhe jemi shku në objekte ku kemi mujt m`u strehu… prej asaj date deri më datë 24 maj vrasjet dhe maltretimet nuk janë ndalë për neve”- shtoi tutje dëshmitari Rracaj.
Rracaj deklaroi se plumbat kishin ardhur nga drejtimi i karaullës dhe i akuzuari Gavrilo Milosavleviq kishte qenë prezent.
“Aty ka pasë plot njerëz, në mesin e tyre ka qenë edhe akuzuari, tash këtu, i cili ka qenë në krahun e majtë të karaullës me pushkë automatike dhe me bomba dore ka gjuajt në drejtim tonin”- deklaroi dëshmitari Rracaj.
Në pyetjen e prokurorit Ilir Morina, se a e kishte parë të akuzuarin Milosavleviq para ditës së incidentit: “Gavrilon e kam pa prej datës kur kam shku në janar, nuk e di a 16 janar sa ka qenë data saktë, direkt nuk e kam pa, por e kemi përcjellë gjatë ardhjes në pavijonin C, ku i ka maltretuar shokët tanë dhe i ka rreh me grupin e vet”- u përgjigj dëshmitari Rracaj.
Dëshmitari Rracaj tutje shtoi se të akuzuarin e kishte parë 3 herë, një herë para bombardimeve të NATO-s , herën e dytë në karaulle, ndërsa herën e tretë i kishte detyruar të burgosurit kur ishin tërhequr nga Burgu i Dubravës t’i bartnin kufomat me datë 24 maj.
“Janë ardhë autobusët dhe kamionët te hyrja e burgut edhe na kanë bërë thirrje me dalë jashtë. Jemi dalë jashtë murit të burgut, aty jemi taku me të akuzuarin dhe shokët e tij, ku të vrarët kishin qenë një mbi një te dalja e objektit të burgut”.
“Aty na ka obligu i pandehuri që është këtu me shokët e vet që u kanë m`i ngarku kamionët, pasi e kemi kry atë ngarkim na kanë detyru me hip në autobusë , ne kemi qenë 10-15 veta qysh kemi qëllu”- deklaroi dëshmitari Rracaj gjatë rrëfimit të tij.
I pyetur se a i kujtohej sa kufoma kishin qenë: “Nuk më kujtohet, përafërsisht 20 kufoma kanë qenë me një vend. Po ka pasë shumë vende ku ka pasë të vrarë… i gjithë burgu ka qenë i mbushur me kufoma… Gavrilon e kam njohur të tjerët kanë qenë të maskuar”- u përgjigj dëshmitari Rracaj.
Dëshmitari deklaroi se në gjuhën serbe ishin obliguar t`i ngarkonin kufomat në kamion.
“Na kanë thënë që të vetmit ju keni mbetë në Kosovë, të tjerët i kemi çu në Shqipëri në Maqedoni edhe juve kemi me ju kry qetash… na kanë hipur nëpër autobusë na kanë çu në drejtim të Istogut dhe na kanë ndalë të shkolla ‘Bajram Curri’, na kanë torturu me orë të tëra fizikisht, dhe na kanë çu në drejtim të Lipjanit”- deklaroi dëshmitari Rracaj
Dëshmitari deklaroi se Gavrilon e kishte parë në ditën e pushkatimit në fushën e sportit duke gjuajtur në të burgosurit.
Tutje, dëshmitari për pseudonimin e të pandehurit tha se i kujtohej se në burg e kanë thirrur “Gagi”.
Dëshmitari tutje, tha se i kujtohej se në mëngjesin e 19 majit e kishte dëgjuar urdhrin për gjuajtje të thënë në gjuhën serbe: “Palite iz svog naoružanja koje imate”- “me të gjitha armët që i keni pranë”- shtoi tutje dëshmitari Rracaj.
Pas marrjes në pyetje nga ana e prokurorit, mbrojtësi i të akuzuarit Milosavleviq, avokati Dejan Vasiq, propozoi që seanca e sotme të ndërpritet, pasi që nuk janë përgatitur për të marrë në pyetje dëshmitarin Skender Rracaj. Kjo pasi që nuk e kanë ditur që ky dëshmitar do të dëshmojë gjatë seancës së sotme dhe propozoi që të caktohet datë tjetër për marrjen në pyetje të dëshmitarit Skender Rracaj.
Propozimin e avokatit Vasiq për ndërprerjen e seancës e aprovoi trupi gjykues.
Seanca e sotme u ndërpre, ndërsa seancat e tjera lidhur me këtë çështje penale janë caktuar për data tjera.
Kjo çështje penale po gjykohet nga Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.