UASHINGTON – Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi dy kompani me seli në Serbi dhe Mal të Zi për ndihmën që i kanë dhënë Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. Kompania serbe, e cila ka bërë shitjen e radiove ushtarake Rusisë dhe kompania malazeze, që ka transferuar pajisje ushtarake nga Mali i Zi në Rusi, janë në mesin e 275 individëve dhe entiteteve të cilat kanë shkelur sanksionet amerikane si pjesë e skemave ruse për t’iu shmangur sanksioneve.
Në listën e kompanive të shteteve të treta, sipas vendimit të së mërkurës, Thesari amerikan emëroi kompaninë serbe ‘Ventrade’ për shitjen e radiove ushtarake kompanisë ‘Promsvyazradio’, një firmë ruse e cila prodhon pajisje transmetimi. Kompania ruse, sipas Thesarit, po bashkëpunonte me firmën tjetër ruse ‘Budaphone’, e cila është kontraktore e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, që vepron si qendër për montimet dhe instalimet e radio-lidhjeve digjitale.
Firmat ruse në këtë skemë ishin të lidhura me shtetasin hungarez Bence Horvath, i cili u sanksionua në muajin gusht nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për përpjekjet e tij për të eksportuar në mënyrë të jashtëligjshme teknologjinë amerikane të radio-lidhjes për qeverinë ruse.
Ndërkaq firma serbe ‘Ventrade’ u sanksionua për ndihmën materiale dhe mbështetjen teknologjike përmes produkteve apo shërbimeve të saj për firmën ‘Promsvyazradio’, sipas deklaratës së Thesarit.
Po ashtu, kompania me seli në Mal të Zi, ‘International Business Coorporation Bar (IBC)’, pronë e shtetasit rus Sergey Kokorev, i cili jeton në këtë shtet, sipas Thesarit, shërbeu për të transferuar pajisje për prodhimin e pjesëve metalike dhe kushinetave të prodhuara në Evropë për firmat prodhuese në Rusi, përfshirë kompanisë ‘AMS Tekhnika’, e cila është e përfshirë në shpërndarjen me shumicë të makinerive dhe pajisjeve industriale. Sipas Departamentit të Thesarit, rusi Kokorev ka shfrytëzuar kompaninë e tij ‘IBC’ për të eksportuar pajisje ushtarake nga Mali i Zi në Rusi.
Sanksionet ndaj pronarit Kokorev dhe kompanisë së tij u vendosën për shkak të të qenit pjesë e sektorit prodhues të ekonomisë së Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të marrin veprime të prera në tërë botën për të penguar furnizimin e Rusisë me pajisje dhe teknologji thelbësore që i duhen për luftën e saj të jashtëligjshme dhe të pamoralshme kundër Ukrainës”, deklaroi Zëvendës-sekretari i Thesarit, Wally Adeyemo. “Jemi të vendosur t’ia pamundësojmë Rusisë furnizimin e makinerisë së saj të luftës dhe t’i ndalojmë ata që duan t’i ndihmojnë përpjekjeve të saj përmes shmangies së sanksioneve dhe kontrolleve të eksportit.”
Sipas Departamentit të Thesarit, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, Rusia “gjithnjë e më shumë po varet nga një skemë e ndërlikuar dhe e kushtueshme ndërkombëtare për të blerë teknologjitë kritike dhe për të prodhuar pajisjet e makinerinë” për armët e saj.
Mali i Zi, anëtar i NATO-s, i është bashkuar shteteve perëndimore në vendosjen e sanksione ndaj Rusisë që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, ndërkohë që Serbia, shtet kandidat i Bashkimit Evropian, nuk është bërë pjesë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.