Të mërkurën, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian pati mesazhe të qarta për Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se Kosova është njëri nga partnerët të cilët janë të përkushtuar drejt politikës së tyre derisa Serbia nuk u përmend si partner i tillë. Borell tha se nuk mund të vazhdohet ruajtja e lidhjes me Rusinë dhe dëshira për anëtarësim në BE.
Në raport me Kosovën dhe Serbinë, asnjëherë nuk ishte më i drejtpërdrejtë.
Duke folur për Planin e Zgjerimit, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borell e përmendi Kosovën si vend bashkëpunues.
“Disa nga partnerët tanë që janë plotësisht dhe rreshtohen me politikën tonë të përbashkët të sigurisë së jashtme, mund të përmend Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën e Kosovës, i cili është duke u rreshtuar vullnetarisht”, tha Borrell.
Mirëpo, ai kishte një mesazh të prerë edhe për Serbinë.
Borell, tha se agresioni rus në Ukrainë e ka shndërruar përshpejtimin e zgjerimin e bllokut në përparësi strategjike. Andaj theksoi se rreshtimi i vendeve që synojnë integrimin me politikat e bllokut është thelbësor.
“Ju thjeshtë nuk mund të mbani lidhje të ngushta me Rusinë ose të përpiqeni të vazhdoni punën si zakonisht dhe të prisni që do të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian. Është njëra ose tjetra”, tha ai.
E këtë mesazh, po e shohin shumë pozitiv për vendin deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu Hyseni vendi gjithmonë ka qenë drejt rrugës së duhur drejt integrimit në BE.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha se qëndrimi i Kosovës ka qenë i qartë sa i përket agresionit rus në Ukrainë.
Për të, problem vazhdon të jetë Serbia.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.