Statovci: Raporti i Progresit i këtij viti më i miri ndonjëherë

Aktuale

Statovci: Raporti i Progresit i këtij viti më i miri ndonjëherë

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 21:17
Jeta Statovci

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, e ka cilësuar si Raportin e Progresit më të mirë ndonjëherë të pranuar nga Kosova raportin e publikuar të mërkurën nga Këshilli Evropian.

Statovci ka thënë se në këtë raport flitet vetëm për progres në secilën fushë dhe nuk përmendet regres askund.

“Ne shohim se ka një varg aspekte të cilat potencohen nga Raporti i Progresit e nga shumë vazhdon të cilësohet si një nga raportet më të mira ndonjëherë të marra ose të pranuara nga Kosova e cila në secilën fushë flet për progres, flet për hapa të cilat janë marrë në përmirësim të gjendjes, nuk ka asnjë fushë në të cilën përmendet të ketë pasur regres”, ka thënë ajo.

Të mërkurën Komisioni Evropian ka publikuar raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

Në dokumentin për Kosovën thuhet se autoritetet e vendit mbeten të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian.

Lidhur me raportin zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka theksuar se Kosova do të zbatojë rekomandimet e dala nga raporti pavarësisht masave “të padrejta” të BE-së.

“Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve dhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Ne i konsiderojmë ato si të padrejta sepse së pari është rekomanduar largimi i tyre dhe pavarësisht prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet e BE-së duke dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e BE-së ndaj qytetarëve tanë. Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe presim që Këshilli të marr vendim shpejt për heqjen e tyre. Kosova nuk ka dhe nuk kërkon alternativë tjetër dhe është e vendosur në rrugëtimin drejt BE-së”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat