Një ditë më parë u publikua Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian. Qeveria e cilësoi si raport pozitiv, e në anën tjetër opozita e tha tha të kundërtën. Fitim Mulolli, njohës i zhvillimeve politike tha se Raporti i Progresit u ka lënë hapësirë edhe pozitës edhe opozitës për interpretim në favor të tyre.
Ai tha se ky raport përmend përparim në disa fusha, por që ky përparim është i shoqëruar me fjalën i kufizuar apo i limiturar.
"Pra është një progress i vogël dhe jo i kënaqshëm aq sa duhet të jetë", deklaroi ai në "Lajmet e fundit" në RTK.
Mulolli tha se raporti ka shumë vërejtje, ku sipas tij pikat më të rëdësishme janë se shumica e rekomandimeve të viteve 2023 nuk janë zbatuar.
"Është një vlerësim negativ për institucionet e Republikës së Kosovës sepse qëllimi i këtij raporti është të konstatojë gjendjen të japë rekomandim për përmirësim të gjendjes.
Ndërsa institucionet prejt tetorit të vitit të kaluar nuk i kanë zbatuar shumicën e rekomandimeve që i ka dhënë Komisioni Evropian", theksoi ai.
Sipas Mulollit, raporti i këtij viti në disa pika është mjaft negativ por në disa pika theksohet se ka mjaft progres.
Ai theksoi se raporti i vitit 2025 do të jetë vendimtar për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, prandaj sipas tij është shumë e rëndësishmë që rekomandimet e këtij viti të zbatohen.