Pasi Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara reaguan pas miratimit nga ana e qeverisë serbe të projektligjit për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe shpalljen e Kosovës si zonë e mbrojtjes së veçantë, në Prishtinë kërkojnë të shkohet edhe një hap më tutje.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që të ndërmerren masa si mënyra e vetme për të parandaluar Serbinë të vazhdojë me fazat e radhës me këtë projektligj.
Agon Batusha, deputet i Vetëvendosjes, tha për A2 CNN: “Nëse nuk vazhdon kjo me masa të tjera ne e kuptojmë që Serbia asnjëherë nuk vepron, pra nëse nuk e kupton që rrezikon sanksione apo ndonjë masë, nuk vepron Serbia. Kemi rastin e Banjskës, kemi raste të tjera kur Serbia nuk vepron, përkundrazi i motivon të vazhdojnë tutje me shkelje, edhe të marrëveshjeve, edhe ndaj shtetit të Kosovës”.
Nga Bashkimi Europian u kërkua që të ishte më i ashpër në lidhje me këtë projektligj që shihet si pjellë e politikave hegjemonistë të Serbisë karshi Kosovës.
Valdet Hoxha, ish-zv/ministër i Brendshëm, theksoi: “Reagimi i BE-së, sado që në kohë dhe i drejtë, megjithatë duket paksa i vakët dhe kjo me gjasë për arsye të pesë vendeve mosnjohëse, pra duhet të ishte një reagim më i ashpër dhe më ultimativ sepse kjo cenon edhe të drejtën ndërkombëtare”.
Ky veprim i Serbisë tashmë rrezikon të minojë edhe dialogun mes dy vendeve si dhe përpjekjet për një paqe afatgjatë.
“Bashkimi Europian duhet ta kuptojë një herë e mirë që Serbia nuk kthehet me ledhatime, gjithashtu që marrëveshjet ajo i ka shkelur jo ne, ajo nuk i ka nënshkruar jo ne. Ne jemi duke provuar të ecim përpara natyrisht duke ruajtur kushtetushmërinë, integritetin territorial dhe sovranitetin”, deklaroi Batusha.
Ndryshe nga Bashkimi Europian, shpresat janë më shumë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pas reagimit publik, mund të ndërmarrin veprime që projektligji të mos kalojë në Kuvendin serb.
“Do të kemi një tërheqje nga ky projektligj, pra respektivisht ky projektligj nuk do të kalojë në Kuvendin e Republikës së Serbisë, por do të përdoret kështu si mjet politik më shumë për konsum të brendshëm sesa për çështje të tjera praktike dhe të funksionimit praktik në territorin e një shteti tjetër”, theksoi Hoxha.
Ligji që është miratuar nga qeveria serbe synon gjykime për të gjitha krimet e parapara me kodin penal të këtij vendi të cilat mund të jenë kryer që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.