Kërkohet më shumë barazi gjinore, Rexhepi: Të brengosur me numrin e madh të vrasjeve të grave

Aktuale

Kërkohet më shumë barazi gjinore, Rexhepi: Të brengosur me numrin e madh të vrasjeve të grave

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 14:26
Emilija Rexhepi

Vështirësitë në fushën e arritjes për barazi gjinore dhe zëri i grave në zgjedhjet e ardhshme, janë disa nga çështjet që u diskutuan në takimin e rregullt konsultativ, në prag të 30-të vjetorit të Platformës së Pekinit, 24-vjetorit të Rezolutës 1325, Gratë Paqja dhe Siguria

Qëllimi i këtij takimi konsultativ ishte zhvillimi i një diskutimi të hapur dhe thelbësor mbi sfidat e avancimit të barazisë gjinore në vend.

Gjatë diskutimit u theksua se është i domosdoshëm analizimi kritik i përpjekjeve të akterëve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, partive politike, mediave dhe komunitetit ndërkombëtar, në kuadër të proceseve dhe reformave të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në panelin me titull "Pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike", zëvendëskryeministrja e tretë për çështje të pakicave dhe drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi ka theksuar se janë brengosëse statistikat e vrasjeve të grave.

"Vet fakti që edhe më tutje, ballafaqohemi me gjuhën e urrejtjes ndaj grave, vet fakti që kemi një numër të madh të vrasjeve të grave tona, shpesh kemi përmendur këto, meqë zakonisht kryerësit e këtyre veprave janë bashkëshortit apo njerëzit me të cilët jetonin shumë vite... Tani kemi një pasqyrë krejt tjetër dhe këto statistika tregojnë një realitet tjetër që duhet të brengosemi. Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të punojmë, dhe janë të rëndësishme këto takime, tha Rexhepi.

Këshilltarja politike në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlije Bala gjatë diskutimit për barazinë gjinore, ka thënë se ligjet në vend hasin sfidat e saja të përditshme, teksa ka kërkuar nga gjitha institucionet zbatimin e tyre.

"Angazhimet tona nuk duhet të jenë të fokusuara vetëm në politikë, gjithandej e hasim pabarazinë, sepse kur të ndalemi dhe të analizojmë ligje të tëra, është një përshtypje se këto ligje janë bërë veç për burra, është një diskriminim aty për aty ndaj grave. Në momentin kur na thonë se gjuha ligjore nuk ka gjini, mendoj se duhet të fillojmë edhe gjenorizimin e dokumenteve tona të bëjmë. Ligjet në Kosovë hasin sfidat e saja të përditshme, nuk është e lehtë zbatimi i një ligji, dhe nuk varet zbatimi i ligjit vetëm prej një institucioni, prandaj, kërkohet angazhimi i përgjithshëm edhe institucional dhe shoqëror. Ka shumë për të bërë si gra", tha Bala.

Drejtoresha Ekzekutive e OJQ "Të drejtat e grave", Ruzhica Simiq, ka folur për problemet që ballafaqohen gratë në Mitrovicën Veriore, për çfarë ka kërkuar nga institucionet të punojnë në ketë drejtim, për t'i ofruar sigurinë e nevojshme gjitha grave.

"E kemi të qartë që kalojmë në një tranzicion, por të gjitha thuhen përmes grave. Siguria e grave në hapësira publike është e drejtë universale dhe është e rëndësishme që institucionet të punojnë në ketë drejtim. Pjesëmarrja e grave në jetën politike kanë kuptim vetëm kur janë të mbrojtura dhe tregojnë mendimin e vet pa frikë. Sot gratë në Mitrovicën Veriore ballafaqohen me problemin ngacmimi seksual nga disa individ dhe kjo sjellje degradon dhe krijoj mjedis armiqësor. Ngacmimi seksual është vepër penale dhe kërkon përgjigje, sepse shkel lëvizjen e lirë. Momentalisht gratë në veri e kanë këtë problem serioz", tha ajo.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Igo Rogova ka shprehur dëshirën e saj që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë përsëri të përfaqësuara me gra, me një numër më të madh të tyre.

"Erdhi koha e dialogut që jemi tash, kuptoj se kemi gra në vendimmarrje, dhe jemi shumë krenare, por nuk është me rendësi veç të kemi gra në vendimmarrje, është me rendësi të dëgjohet zëri i popullatës edhe brenda dialogut. Këto mundemi duke pas bashkëpunim, duke u dëgjuar zëri ynë, dhe duke i përcjellë pastaj këto ekipet zyrtare, nuk kemi pas as nga ana e qeverisë tonë...Ne e kemi dëshirën që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë përsëri të përfaqësuara me gra, bile edhe më shumë. Por, mos harroni një gjë, më shumë se gjysma e popullatës që janë gratë votuese, kanë votuar këtë qeveri tash. Prandaj, ne presim edhe më shumë se sa kemi tash rezultate. Kemi shumë çështje për të përcjellë përpara", tha ajo.

Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e vendosë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike si një nga objektivat kryesore strategjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat