Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi është deklaruar sot lidhur me pretendimet se ministri Hekuran Murati ka falsifikuar raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, që ka të bëjë me auditimin e financave publike.
Rukiqi në një konferencë për media tha se ky është një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale në një insitucion të pavarur. E një rast i tillë sipas tij nuk është hasur asnjëherë më parë.
“Një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, përkatësisht Qeverisë së Kosovës në ineitucionet e pavaruara, në këtë rast në raportet e ZKA-së. E thashë që është rast i paprecedentë sepse një të tillë nuk e kemi parë asnjëherë në demokracinë moderne të Kosovës dhe për më shumë nuk është vetëm ndërhyrje në numra por është një falsifikim drejtpërdrejtë i raporteve që kanë qenë publike që nga muaji gush i këtij viti. Bëhet fjalë për raportin zyrtar të auditimit të financave publike. Këtë punë që duhej ta kryente në mënyrë të pavarur ZKA-ja dhe si e është dashur të qëndrojë. Ndërhyrja e e sotme eklatante e ministrit të Financave, pas humbjes së argumenteve me nënkryetaren e LDK-së, Znj. Hykmete Bajrami, ndërhynë dhe pastaj ZKA-ja e falsifikon raportin . në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimit të naftës.
Sipas Rukiqit, shpenzimet e qeverisë aktuale për naftë dhe karburante tjera, janë trefish më të larta se ato të qeverive të kaluara.
” Një qeveri e cila shpenzon në naftë dhe karburante mbi 31 milionë euro që është trefish më shumë se mesatarja qe ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Sigurisht që duke e parë këtë krim institucional ata sot ndërhyjnë në mënyrën dhe më të pa imagjinueshme dhe në të njëjtën kohë vetëm si dinë të bëjnë ata me propagandë e falsifikimeve”, ka thënë ai.
Tutje ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta hetojnë këtë rast.
“LDK-ja e dënon fuqishëm këtë akt të falsifikimit dhe në të njëjtën kohë i bënë thirrje prokurorisë që ta hetojë sa më shpejtë sa më shpejtë këtë krim”, ka thënë ai.