Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj ka takuar sonte strukturat e Degës së Aleancës në Viti, me ç’rast prezantoi Labinot Gjinin dhe Engjëll Koliqin si kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025.
Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj theksoi se arritja dhe fitorja më e madhe e kësaj partie në politikë do të jetë angazhimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO përmes planit aksional.
Haradinaj: Kosova duhet të anëtarësohet direkt në NATO
“Për këto zgjedhje që vijnë kam menduar cili do të ishte kontributi më i mirë, më i madh që nëse vazhdoj të jem në politikë mund t’ia bëj vendit dhe popullit tim. Mendoj se anëtarësimi në NATO direkt, jo përmes procesit në Partneritet për Paqe, sepse është i stërzgjatur, por anëtarësimi direkt në NATO përmes planit aksional për anëtarësim do të ishte e arritura dhe fitorja më e madhe, fitorja e të gjitha fitoreve tona. Besoj që ky do të ishte shërbimi im edhe final. Do të punojmë për këtë”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj vlerësoi lart dy kandidatët për deputetë nga radhët e AAK-së në Viti, duke thënë se për herë të parë në Kosovë po bëhet ky nominim i brendshëm.
Haradinaj: Labinot Gjini dhe Engjëll Koliqi kandidatë për Kuvend
“Është hera e parë sot në Kosovë që ndodh, nuk ka ndodhur ende, është nominim i brendshëm. Është kandidaturë, unë e kam të drejtën në bazë të statutit të Aleancës dhe rregullores sonë ta bëj këtë nominim, ta ndaj nominimin e dy kandidatëve tuaj për deputet, ende s’ka filluar ky proces askund tjetër - në këtë rast Labinot Gjinit dhe Engjëll Koliqi”, tha Haradinaj.
I pari i degës së AAK-së në Viti, tashmë kandidat për deputet, Labinot Gjini u shpreh optimist për fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjini: Askush nuk mund ta ndalë fitoren e AAK-së në zgjedhje
“Edhe sot, tani e dy vjet edhe tri vjet jemi futur në garë. Jemi nisur për të fituar. Më kanë thënë nuk mundesh, është e vështirë. Por, ne kemi vepruar, kemi vazhduar, kemi besuar, kemi ndërtuar ekipe dhe falë secilit prej jush ngadalë e kemi ri-ngritur Aleancën në nivel të një kandidature serioze edhe në nivel komunal edhe sot nivel vendor…Me qytetarët e Vitisë jam kandidat, jam politikan, vetëm me juve arrihen këto gjëra…Le të vazhdojmë të besojmë dhe mos të dorëzohemi deri në fitore. Nuk do të na ndalë askush. Ka qenë e vështirë deri më tash, por sot më besoni se kam gjithë besimin për fitore jo vetëm te vetvetja, por edhe tek Aleanca”, potencoi Gjini.
Shkrimtari, publicisti, pedagogu e autori i disa botimeve, po ashtu kandidat për deputet, Engjëll Koliqi u shpreh se aderoi në AAK, pasi beson se vendi mund të përparojë vetëm me Ramush Haradinajn si kryeministër i ardhshëm.
Koliqi: Do të jem zëri i qytetarit, zëri i popullit në Kuvend
“Nuk pretendojmë ne si kryeministri aktual që ta marrim shumicën të bëjmë vetë qeveri. Ne pretendojmë me të tjerët në koalicion, por që në koalicion kryeministër të jetë Ramush Haradinaj. Është i vetmi që e di gjithmonë çfarë, ku dhe si të flasë të reagojë dhe të veprojë…Deri tani kam qenë në LDK. Me shume keqardhje aty kam konstatuar se si më ka marrë mendja se amaneti i presidentit historik Rugova nuk po përçohet si duhet në vend, kam menduar se me gjeneralin tonë Haradinaj do ta përçojmë më mirë. Do të jem zëri i qytetarit, zëri i popullit në kuvend për të gjitha nevojat dhe kërkesat”, u shpreh Koliqi.
Para takimit me strukturat udhëheqëse të Degës së AAK-së në Viti, Haradinaj zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe strukturat e organizatës. Ai u zotua se ndër prioritet e para në qeverisje do të jetë zgjidhja e statutit ligjor e financiar për këtë kategori.
Haradinaj: Kategorive të lirisë do t’ia zgjidhim një herë e përgjithmonë statusin ligjor
“Ne shpresoj shumë si Kosovë, do ta lajmë turpin tonë, po flas si vend, por edhe timen në këtë rast kategorive të lirisë, t’ia zgjidhim një herë e përgjithmonë statusin e tyre ligjor, financiar dhe të drejtat që iu takojnë. Të mos i nëpërkëmbim pa kufi, në vazhdimësi por ta zgjidhim…”, tha Haradinaj.