​N’pritje të strategjisë kundër korrupsionit

Aktuale

​N’pritje të strategjisë kundër korrupsionit

Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 10:19
Ilustrim

Kosova vazhdon të mos e ketë Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit dhe për këtë, qeveria po kritikohet nga shoqëria civile dhe vetë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Nga ekzekutivi thonë se tashmë e kanë hartuar këtë dokument i cili sipas tyre së shpejti do të dalë në konsultime publike.

Një strategji e tillë i mungon shtetit që prej vitit 2019, pasi asaj i kishte kaluar mandati.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se dokumenti është në fazën e adresimit të komenteve të fundit nga partnerët.

“Qeveria ka hartuar Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit, me mbështetje të partnerëve tanë. Aktualisht jemi në fazën e adresimit të komenteve të fundit nga partnerët tanë. Menjëherë pas adresimit të tyre, Strategjia do të dalë në konsultime publike”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.

Mungesa e një strategjie për luftimin e korrupsionit në vend i ka shkaktuar telashe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Drejtori Yll Buleshkaj thotë se në mungesë të kësaj strategjie, ky institucion nuk ka pasur çka të monitorojë - çka edhe e ka detyrë.

Madje, sipas tij, hartimi i strategjisë është nënvlerësuar si proces.

Buleshkaj: Mungesa e Strategjisë i ka shkaktuar problem Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit

“Kjo mungesë [e strategjisë] ka shkaktuar disa probleme, fillimisht agjencia nuk ka pasur çka të monitorojë ashtu siç ka detyrë të vetën, e dyta ndoshta përpjekjet edhe pse kanë qenë jo të vogla për parandalimin apo luftimin e korrupsionit nuk kanë qenë të orientuara strategjikisht për të arritur më shumë qëllimin. Besoj, pasja e një strategjie do të kishte siguruar Kosovës arritjen e synimeve në mënyrë më të targetuar, në mënyrë më strategjike”, tha ai.

Megjithatë, Buleshkaj shprehet optimist që Kosova deri në fund të vitit do të ketë një dokument ku mund t’i orientojmë përpjekjet në mënyrë strategjike për të pasur suksese të prekshme.

Buleshkaj:Dua të jem optimist që deri në fund të vitit Kosova do ta ketë një strategji kundër korrupsionit

“Dua të jem optimist që deri në fund të vitit Kosova do ta ketë një strategji, një strategji të bazuar në të dhëna që mund të merren edhe nga agjencia dhe si fund të mbyllet ky qarku i mos pasjes strategji...Si për Kosovën apo edhe përpjekjet e shteteve tjera që parandalojnë korrupsionin, apo që luftojnë apo ngritin vetëdijen për korrupsion dhe për efektin e tij, do të kenë një dokument ku mund t’i orientojmë përpjekjet në mënyrë më strategjike për të pasur suksese pak më të prekshme”, thekson drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kritika ndaj qeverisë për vonesë në miratimin e këtij dokumenti, kanë nga shoqëria civile.

Drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli thotë se Qeveria e Kosovës ka dështuar ta hartojë këtë dokument të cilin e ka pasur obligim.

Demolli: Qeveria ka dështuar në hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit

“Fatkeqësisht, Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë ka pasur obligim që ta hartojë këtë strategji me ndryshimet ligjore, kjo kompetencë ka rënë mbi Qeverinë e Kosovës dhe në këtë aspekt mund të them me përgjegjësi të plotë se Qeveria ka dështuar në hartimin e një strategjie, përderisa në vitin e kaluar në muajin shkurt është formuar grupi punues i cili kishte afat që deri në dhjetor të vitit të kaluar të përfundojë Strategjina Kundër Korrupsionit, por një gjë e tillë nuk ndodhi...ka gjasa që një gjë e tillë të ndodh gjatë këtij viti“, thekson ajo.

Sipas Demollit, një strategji kundër korrupsionit do të kanalizonte veprimet institucionale në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Demolli: Strategjia do të kanalizonte veprimet institucionale për luftimin e korrupsionit

“Një strategji e tillë do të kanalizonte shumë veprime që do të ndërmerrnin institucionet në parandalimin por edhe në luftimin e korrupsionit, dhe vetë fakti që nuk është një strategji e tillë do të thotë pavarësisht secili institucion i ka përgjegjësitë e veta, mirëpo ajo strategji do të tregonte ndoshta edhe prioritetet kryesore që i sheh si qeveri që t’i adresojë edhe të luftohet edhe korrupsioni, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur tash jemi në atë idenë nëse secili institucion po i zbaton sa duhet aktivitetet dhe obligimet që ia parasheh ligji i tyre”, shprehet Demolli.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësime se si qeveria për pothuajse katër vjet nuk ka arritur ta hartojë një dokument të tillë të rëndësishëm kundër korrupsionit.

Shala: Kjo qeveri asnjëherë nuk ka pas strategji kundër korrupsionit

“Kur po e përfundon mandatin kjo qeveri, asnjëherë nuk ka pas strategji shtetërore për luftimin e korrupsionit. Në njëfarë forme kjo e jep njëfarë përshtypje nëse vetë qeveria e ka ditur se si do ta luftojë korrupsionin apo jo, për faktin se në fund të mandatit kur jemi pothuajse në fund të mandatit nuk e kemi një strategji të tillë“, theksoi Shala.

Deri tani Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsion hartohej nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, tani për herë të parë ky dokument bëhet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Raporti i fundit për Kosovën i Komisionit Evropian ka konstatuar se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkaq, Organizata ndërkombëtare, Freedom House përmes raportit sivjet vlerësoi se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat