Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, ka prezantuar sonte kandidatët nga Dega e AAK-së në Pejë, të cilët do të jenë pjesë e garës së ardhshme për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ai në fjalën e tij tha se kandidatët për deputet nga Peja janë njerëz të duhur dhe me angazhimin e tyre e meritojnë votën e qytetarëve, teksa ka theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe anëtarësimin e vendit në Aleancën-Veri-atlantike përmes planit aksional.
Haradinaj: Plani aksional mund të ndodhë brenda 100-ditshit të qeverisjes Haradinaj
“Kosova duhet të arrijë një kontratë të marrëdhënieve me Amerikën. Si ta arrijmë këtë kontratë Kosova e cila u tregua jo serioze katër vjetët e fundit? Ka pasur shumë devijime dhe në shumë mënyra e ka humbur besimin e SHBA-së, aleatëve, të Turqisë... Ligjet e ushtrisë sonë dhe plani 10-vjeçar njihet si Partneritet për Paqe që iu jepet vendeve si rrugë për të hyrë në NATO... Duke qenë kështu plani ynë 10-vjeçar është ekuivalent me Partneritetin për Paqe. Ushtria jonë është krijuar në parametra të NATO-s dhe ekziston mundësia reale që Amerika t’ia jep Kosovës Planin aksional për anëtarësim në NATO. Plani aksional është kontrata është kontrata e fundit për anëtarësim në NATO në formë pyetësori, i cili bëhet për çdo vend për specifika të atij vendi... Mund të ndodhë që brenda 100-ditshit të parë të qeverisjes Haradinaj ne të marrim zyrtarisht planin aksional për anëtarësim në NATO. Marrja e këtij plani aksional është pranim i kandidaturës...Jam shumë optimist për ndryshimin që po vjen më 9 shkurt dhe AAK do të arrijë t’ia jep Kosovën kryefitoren njëherë e përgjithmonë, garancinë e sigurisë anëtarësimin në NATO... Do ta kemi autostradën e Dukagjinit nga Zubin Potoku, Istog, Pejë, Gjakovë, Prizren, do t’i zgjerojmë rrugët”, ka thënë Haradinaj.
Kandidati për deputet, njëherësh kryetar i Degës së AAK-së në Pejë, Ali Berisha, ka prezantuar kandidatët për zgjedhjet e ardhshme, për të cilët tha se janë profesionistë të dëshmuar.
Berisha: Peja pret shumë nga qeveria e ardhshme me kryeministër Haradinaj
“Doktor Arbër Tolaj, Diellza Kukaj, afaristi më i suksesshëm Egzon Kelmendi, sekretari i partisë Gazmend Syla, njeriun që e njeh krejt Peja dhe Kosova Fatmir Gashi, një bashkëpunëtor në luftë të kryetarit Ramush Haradinajt, biznesmen Ramush Ahmeti dhe profesionisti i madh i shëndetësisë Shemsedin Dreshaj...Peja e njeh kontributin e Haradinajt dhe e di kontributin tuaj për çlirimin e Pejës që ajo është kështu si është e bashkuar... në këtë qeverisje, Haradinaj, Peja pret shumë më shumë nga ti, pasi Peja dhe Dukagjini janë aktualisht shumë keq... Peja pret që sa më shpejt që të kryhet autostrada Klinë-Pejë. Peja pret të kryhet një unazë, pasi shumë qytete të Kosovës, Peja që ta ketë një unazë të investuar nga qeveria për shkarkimin e qytetit... Peja është qytet i bizneseve dhe pret nga qeveria e ardhshme që ta ketë edhe parkun e biznesit”, tha Berisha.
Kandidati për deputet Arbër Tolaj, në fjalën e tij, tha se është hera e tretë që do të jetë pjesë e garës zgjedhore, duke shprehur bindjen e tij se do t’ia dalin së bashku.
Tolaj: AAK ka program të detajizuar për të gjitha sektorët
“Në dorë e kam programin zgjedhor të AAK-së që e kemi shpalosur para një muaji. AAK është partia e parë në Kosovë që ka një program të detajizuar për të gjitha sektorët. Prioritet i parë i qeverisjes Haradinaj do të jetë inkuadrimi në NATO, menjëherë pas saj vjen zotimi për shëndetësinë, pasi Kosova është ndër vendet e rralla që nuk ka sigurime shëndetësi dhe duke pasur përkrahjen e kryeministrit të ardhshëm Ramush Haradinaj, besoj brenda dy vjetësh do t’i implementojmë sigurimet shëndetësore”, ka thënë ai.
Kandidatja tjetër Diellza Kukaj tha se së bashku me ekipin më të mirë të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt do të shkruajnë të ardhmen e ndritur të Kosovës.
Kukaj: Peja duhet të ketë një zë të fuqishëm më Parlamentin e Kosovës
“Si kryetare e Aleancës së Gruas vazhdoj me të njëjtin pasion dhe përkushtim, me bagazhin që kam e di dhe e njoh shumë potencialin e Kosovës për zhvillim ekonomik. Nuk do të ketë zhvillim ekonomik vetëm numra e politika...Unë jam e përkushtuar që në mandatin tim kjo bashkë me kolegët e mi të ndryshojë një herë e përgjithmonë...Peja duhet të ketë një zë të fuqishëm më Parlamentin e Kosovës”, tha ajo.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kandidati tjetër Egzon Kelmendi i cili tha se Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj do të sjellë ndryshime pozitive për vendin, në të mirën e qytetarëve.
Egzon Kelmendi: Do ta bëjmë Kosovën më mirë se sa në Dubaj
“Duke besuar se me Ramushin si kryeministër, do ta bëjmë Kosovën më mirë se sa në Dubaj. Do të krijojmë ambient për investues strategjikë që do të ndërtojnë termocentrale...”, tha Kelmendi.
Fatmir Gashi, kandidati tjetër nga Dega e AAK-së nga Peja, tha se është nder të jetë përfaqësues në garën për pozitën e deputetit, por njëherësh edhe i madh për të punuar për degradimin politike, ekonomik e arsimor në të gjitha sferat në Kosovë.
Fatmir Gashi: Atë që e ka thënë Haradinaj, e ka realizuar
“Me angazhimin e Haradinajt për integrim në NATO do të krijohen edhe kushte të mira... Degradimi ekonomik ndalet në këtë mënyrë. Atë që e ka thënë Haradinaj, e ka realizuar. Punoni fort që të mund ta ndalim këtë degradim që është i dëmshëm”, tha ai.
Kandidati tjetër, Gazmend Syla, ka thënë se fitorja në zgjedhjet e ardhshme është e nevojshme pasi qeveria aktuale ka degraduar vendin.
Syla: Njerëzit nuk do ta votojnë Albin Kurtin e Mimoza Kusarin
“Të gjithë e kanë ndjenjën e fitores më 9 shkurt dhe ju ftoj që ndjenjë ta rritim... Njerëzit nuk do ta votojnë Albin Kurtin e Mimoza Kusarin, të cilët vëllezërit e vet i bënë armiq, e armiqve iu thanë vëllezër. Nuk besoj që numër i madh do ta votojë Kutin e Dejona Mihalin që e bënë nëntokën e krimit e të shantazhit, nuk besoj se ka ndonjë atdhetar që do t’i votojë këta njerëz”, ka thënë ai.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe kandidatët Ramush Ahmeti dhe Shemsedin Dreshaj, të cilët kërkuan votën e qytetarëve për fitoren e cila do të sigurojë një qeveri të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndryshe, gjatë ditës Haradinaj u takua me figura të rëndësishme lokale në Pejëdhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe ndau mirënjohje për kontribuuesit e AAK-së dhe u takua me përfaqësues të klubit të futbollit FC Besa Peja, duke theksuar rëndësinë e sportit për rininë kosovare.