Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet, përfshirë edhe për komunat veriore ku tashmë janë zgjedhur edhe Kryesuesit e ri të Komisioneve Komunale Zgjedhore, nga radhët e komunitetit serb.
Të gjitha pajisjet teknologjike tashmë i kanë në funksion.
Gjithashtu edhe doracakun me udhëzime për zgjedhjet e vitit 2025.
Kjo është zyra të cilën Komisioni Komunal Zgjedhor e ka në shfrytëzim këtu brenda komunës së Zubin Potokut, e që KQZ-ja së fundi ka zgjedhur kryesuesit e ri të KKZ-së nga komuniteti serb.
Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri thotë për Tëvë1 se kryesuesi dhe anëtarët e KKZ-së janë çdo ditë në zyrë duke u përgatitur për zgjedhjet e shkurtit.
“Këtu zyra është në funksion çdo ditë pune, dhe natyrisht janë në përgatitje e sipër që është me rëndësi të madhe sa i përket organizimit zgjedhor që janë përfaqësuesit të gjitha subjekteve do të thotë dhe, natyrisht është në funksion e sipër sa i përket komunës së Zubin Potokut”, tha Zeqiri.
Sipas Zeqirit, në këto zgjedhje do marrin pjesë edhe Lista Serbe, përfshirë disa nga partitë e komunitetit serb në komunat e veriut.
“Janë përfaqësuesit, ata të Listës Serbe, janë përfaqësuesit e subjekteve të tjera Partia Demokratike, Vetëvendosje, Gragjancka Iniciativa, deri më tani nuk kemi diçka të natyrës së tillë sa i përket personelit të Zyrës Komunale të Komisionit Zgjedhor, tash është zgjedhur i ri kryesuesi i kësaj zyre”, tha Zeqiri.
E hapësirë për punë, KKZ-së u ka mundësuar edhe komuna e Mitrovicës së Veriut, ku televizioni iu dha qasja për të marrë pamje brenda saj, por që kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor nuk pranoi të deklarohet para kamerës.
Ajo bashkë me përfaqësuesin e Vetëvendosjes shihej duke kryer punë brenda zyrës.
Por, ndryshe nga këto dy komuna, në atë të Zveçanit zyra ishte mbyllur.
Detaje rreth funksionalitetit të KKZ-ve dhanë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Të gjitha Komisionet Komunale të Zgjedhjeve janë funksionale, përfshirë edhe të komunave, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq. Pas zhvillimit të procedurave të konkursit të hapur, KQZ ka përzgjedhur katër Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto komuna”, thuhet nga KQZ.
Në një përgjigje përmes telefonit, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka thënë se edhe në komunën e tij është zyra e përzgjedhur për KKZ-në
Zgjedhjet Parlamentare pritet të mbahen më 9 shkurt 2025.