Detaje nga dëshmia: Shukri Buja pyetet rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Aktuale

Detaje nga dëshmia: Shukri Buja pyetet rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 06:37 Përditësuar në ora: 17:37 më 04.11.2024
Ish-pjesëtarët e UÇK

Buja thotë se nuk i kujtohet nëse ka pasur kontakt me telefon me Thaçin

 Dëshmitari Shukri Buja tha se nuk i kujtohet nëse në prill apo maj të vitit 1998 ka pasur ndonjë kontakt përmes telefonit apo në ndonjë mënyrë tjetër me Hashim Thaçin.

“Nuk më kujtohet saktësisht se kur kam pas kontakt me telefon”, tha Buja.

Ai shtoi se nuk i kujtohet që me Thaçin kanë pasur ndonjë kontakt me anë të telefonit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari Buja pohoi se ka marrë pjesë në sigurimin e armëve për UÇK-në.

“Detyra e parë ka qenë që me e siguru armën për ushtarin dhe normalisht që jam angazhu për me i siguru armët qoftë brenda- kush ka pas armë që i ka sjellë për t’i deponu dhe kriju mundësinë e armatosjes, qoftë përmes Maqedonisë apo Shqipërisë. S’ke mujt me e ba ushtarin pa e pas armën për me e armatosë ose është dashtë që ushtari të vijë i uniformum dhe i armatosur që ka qenë vështirë me mjete të veta”, tha Buja.

Dëshmitari theksoi se nuk e ka njohur Shtabin e Përgjithshëm, prandaj edhe s’ka pasur mundësi që të marrë këtë detyrë nga ata.

Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar edhe nesër (e martë) me dëshminë e Bujës.

Buja thotë se në fillim s’e kanë ditur se kush është Shtabi i Përgjithshëm dhe se nuk kanë marrë urdhra

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij të hënën në Hagë, tha se në kohën kur shkoi për të organizuar njësitet e UÇK-së në vendin e tij të lindjes (Lipjan) nuk e kanë ditur se kush është në Shtabin e Përgjithshëm dhe se nuk kanë marrë urdhra nga ata.

Bujës iu prezantua një fragment i deklaratës së dëshmitarit në çështjen kundër Fatmir Limajt në vitin 2005, ku thoshte se dëshmitari ishte vendosur në Komunën e Shtimes për të organizuar njësitin për Shtimen dhe Lipjanin, Agim Bajrami e ka pasur përgjegjësinë të organizojë njësitet në Kaçanik. Ndërsa, për Limajn kishte thënë se e ka pasur përgjegjësinë për organizimin e njësitit në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas prokurorit James Pace, dëshmitari kishte thënë se “urdhrat për njësitet guerile jepeshin nga Shtabi i Përgjithshëm”.

“Po, është e saktë. Unë e kam sqaruar. Ne i kemi pritur urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm por kush është Shtabi i Përgjithshëm nuk e kemi ditur dhe nuk na është dhënë ndonjë urdhër në atë kohë nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha Buja.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë që pretendohet se ai e ka dhënë në vitin 2003 në ish-Tribunalin e Hagës.

“Kjo është një pjesë e intervistës së vitit 2003 për ish-tribunalin e Hagës: kur keni mbërritë në Drenicë, grupi me 30 persona ka qenë bashkë? Përgjigje; po kishte 30 anëtarë të grupit kur mbërritëm në Drenicë. Në Drenicë caktuam që të rrijmë në banesa private. Kur mbërritëm atje, shkuam në shtëpi private. Kemi qëndru disa ditë atje. Nuk e di sa ditë, por disa ditë kemi qëndruar. Më pas, u lëshua një urdhër që duhet të shkonim në këtë zonë përfshirë: Suharekën, Malishevën. Ka qenë një zonë jashtë Drenicës. Pyetje; në rregull gjatë kohës në Drenicë a jeni informuar për organizimin dhe ndarjen e UÇK-së apo strukturimin e UÇK-së në atë kohë? Përgjigje; jo se nuk patën mundësi të na informonin. Në atë kohë, UÇK-ja e kishte shumë të kufizuar kuadrin e veprimtarive, por edhe unë nga natyra nuk jam kurioz. Si një person që kam qenë në burg unë e dija nga përvoja ime se… ka mbarua këtu”, lexoi prokurori.

Ai shtoi se kur ishte pyetur se kush e dha urdhrin të shkonin në atë zonë, Buja ishte përgjigjur “Unë nuk e di se kush ishte personi që e ka lëshuar urdhrin, por mua këtë urdhër ma ka përcjellë Hashim Thaçi”.

I pyetur të hënën në Hagë nëse kjo deklaratë që e kishte dhënë në vitin 2003 ishte e saktë, Buja u përgjigj se nuk i kujtohet që ka deklaruar diçka të tillë.

Ndërsa, sipas prokurorit Pace, në një deklaratë të vitit 2005 në çështjen Limaj, dëshmitari kishte thënë se ishte kërkesë e tij që u miratua nga Thaçi për të shkuar në territorin që ai njihte për të vepruar në rekrutimin e ushtarëve.

“Po, është miratu edhe nga Hashim Thaçi edhe nga shokët e tjerë. Pra, është fjala për grupin që kemi qenë bashkë. Kur kam kërku që të shkoj në territorin që e kam njoftë. E kanë aprovu të gjithë miqtë, e prej tyre edhe Hashim Thaçi”, tha Buja.

Arsyeja se pse e ka përmendur Hashim Thaçin ,sipas dëshmitarit, ishte se atë e kishte njohur me emër e mbiemër ndërsa të tjerët jo.

Buja thotë se nuk kishte njohuri për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në mars të ‘98-ës

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Shukri Buja tha se nuk kishte njohuri për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në mars të 1998-ës.

“Jo, në atë kohë, jo”, tha Buja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai u pyet se a i kujtohet që në deklaratat e tij të mëhershme kishte deklaruar se përreth kësaj kohe ishte njoftuar për Shtabin e Përgjithshëm përmes komunikatave të tyre.

“Mua më kujtohet se nuk është quajt Shtab i Përgjithshëm. Nëse nuk gaboj është quajtur Shtab Qendror në komunikatat e saj publike”, tha Buja.

Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka hasur në ndonjë komunikatë të UÇK-së gjatë kohës sa ai ishte në Zvicër. Tha se kur është vrarë Adem Jashari, ai ka qenë në Zvicër dhe ka qëndruar atje për disa ditë pas kësaj ngjarje.

Pas largimit nga Zvicra, Buja tha se ka shkuar në Shqipëri, ku ka qëndruar për 2-3 ditë, duke shtuar se nuk e di saktë pasi është kohë e gjatë. Me një grup të shokëve, tha se pas Shqipërisë kanë shkuar në Kosovë.

“Dëshmorë janë një pjesë: Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, Abeja- Bekim Berisha”, tha Buja.

Përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua kur u pyet se a ishte Hashim Thaçi ndonjëri prej anëtarëve në këtë grup.

Ndërsa u përgjigj me “Nuk më kujtohet”, kur u pyet nëse në këtë grup ishte edhe Kadri Veseli.

“Në atë kohë kemi hyrë të gjithë si ushtarë”, u përgjigj Buja, kur u pyet se në çfarë cilësie kanë hyrë ai grup në Kosovë.

Më pas, dëshmitarit iu tregua një deklaratë e tij që kishte dhënë më herët, ku kishte thënë se  “… në mars të ’98-ës, Hashim Thaçi, unë, 27 burra të tjerë e një grua kemi hyrë në Kosovë nga kufiri në fshatin Vlanë në veri të Shqipërisë. Ne ishim të armatosur dhe në këmbë dhe ishim ushtarë përveç Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që ishin të Shtabit Qendror të UÇK-së në Kosovë”.

“… se në kufi, në Shqipëri kemi qenë shumë njerëz. Në mesin e tyre kanë qenë Azem Syla, Adem Grabovci e shumë të tjerë dhe nuk e di se cilët saktë kemi hyrë në Kosovë”, tha Buja, duke mos iu dëgjuar një pjesë e përgjigjes.

Ndërsa, për pjesën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si pjesëtarë të Shtabit Qendror, u pyet sërish, për çka pati kundërshtime.  Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi që kundërshtimet e tij t’i bëjë pa praninë e dëshmitarit.

Mishetiq kundërshtoi mënyrën e formulimit të pyetjes nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për çka ky kundërshtim u hodh poshtë.

“Po e potencoj që në atë kohë nuk e kemi ditë për zotin Thaçi e as për Kadri Veselin, e as për anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm kur kemi hy në Kosovë se kush janë. Kanë qenë fshehtësi të thellë. Kemi mujtë me supozu, por nuk e kemi ditë”, tha Buja pasi u pyet sërish nga prokurori James Pace.

I pyetur se a ka presupozuar pozitën e Thaçit dhe Veselit në atë kohë, Buja tha se “ky është ndikim i pasluftës- i deklaratave të pasluftës kur janë dhënë”.

Buja gjithashtu tha se në momentin që kanë hyrë në Kosovë nga Shqipëria, kanë shkuar në Dukagjin.

Dëshmitari u pyet se ai kujtohet që ka pasur ndonjë bisedë me Hashim Thaçin gjatë kohës sa kanë qëndruar në Dukagjin.

“Po kemi pas biseda. Nuk më kujtohet se kam pas ndonjë bisedë të veçantë me Hashim Thaçin, por kemi pas biseda si grup. (Bisedat e grupit ishin) se si do ta kalojmë rrugën se ishte shumë e vështirë. Pastaj, gjatë qëndrimit në Dukagjin kemi diskutu se si do të shkojmë në Drenicë sepse atë kohë e kishim ngarkuar kokën që do të duhej që të shkonim në Drenicë gjithsesi për shkak të luftimeve që kishin ndodhur atje dhe këto kanë qenë më shumë bisedat”, tha Buja.

Ai tha se kur kanë shkuar në Drenicë kanë qëndruar me një fshat të quajtur Ticë.

Kur u pyet për Rexhep Selimin, Buja tha se të gjithë kanë pasur pseudonime, por që nuk i kujtohet saktë ai i Selimit. Megjithatë, ai tha se Rexhep Selimin me emër e mbiemër e kishte njohur pas luftës.

“Iu kanë drejtu me pseudonime të ndryshme. Ka qenë edhe ‘dhjetëshi’ një nga ata. Gjatë luftës është thënë se Rexhep Selimi e ka pas pseudonimin ‘dhjetëshi’ po unë atë kohë kur kam qenë në Ticë dhe në terren, nuk e kam njoftë Rexhep Selimin as me emër e mbiemër, por as si pseudonim nuk më kujtohet si ‘dhjetëshi’”, tha Buja.

Takimi i parë me Selimin, sipas dëshmitarit, ka ndodhur në fund të vitit 1998.

“Për herë të parë më është prezantu si dhjetëshi, por nuk e kam ditë se kush është. Me vonë e kom kuptu se është Rexhep Selimi. Kjo më vonë është diku pas periudhës së dhjetorit të ’98-ës dhe pasluftës që Rexhep Selimi e ka përdorë një pseudonim të tillë”, tha Buja.

Ai theksoi se nuk ka pasur urdhra dhe as udhëzime për të rekrutuar ushtarë në vitin 1998.

“I gjithë organizimi është bërë në baza vullnetare”, tha Buja.

Buja vazhdon dëshminë në seancë publike, thotë se kishte disa pseudonime

Shukri Buja është duke dëshmuar në seancë publike në Hagë, ndonëse u vendos që përgjigjet e tij të dëgjohen në seancë të mbyllur me urdhër të trupit gjykues.

Nuk u tregua arsyeja e hapjes së seancës, megjithatë dëshmitari Buja është duke u marrë në pyetje nga prokurori James Pace, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Buja pohoi se njëri nga pseudonimet e tij ishte “Sokoli”, me të cilin njihej nga viti 1998. Ai ka pohuar se kishte pasur shumë pseudonime, e që njëri prej tyre përveç “Sokolit” ishte edhe “Gazetari”.

“Unë gjatë veprimit tim të fshehtë kundër Serbisë, kam pasur edhe pseudonime të tjera”, tha dëshmitari, por nuk u dëgjua kur u pyet se a mund të tregonte ndonjërin prej këtyre pseudonimeve.

LPRK, dëshmitari tha se do të thotë Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës, anëtar i të cilës ka qenë edhe ai. Tha se është kyçur aty në moshën e rinisë.

“LPRK-ja ka ekzistuar para kësaj kohe (1998)”, tha Buja, duke shtuar se LPRK dhe LPK kanë qenë e njëjta organizatë.

Dëshmitari tha se ka qenë pjesë e UÇK-së, duke shtuar se kyçjen e llogaritë edhe me përkrahjen politike që i ka bërë përpara fillimit të luftës. Ndërsa, si kyçje të drejtpërdrejtë tha se e llogaritë prej vitit 1998.

“Por, drejtpërdrejt me uniformë kam qenë më ’98-ën nëse nuk gaboj”, tha Buja.

Dëshmitari tha se ka qenë edhe anëtar i redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”.

Shukri Buja vendos të dëshmojë në Speciale

Ish-komadantit të UÇK-së Shukri Buja ka vendosur që të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

Kryetari i trupit gjykues në Hagë, Charles Smith III i tha Bujës se nëse nuk dëshmon, mund të pasojë gjoba.

Smith III tha se trupi gjykues vlerëson se ky dëshmitar është i rëndësishëm po ashtu edhe dëshmia e tij për këtë çështje.

Ndryeshe, so gjatë ditës Shukri Buja tha se nuk përgjigjet në asnjërën prej pyetjeve të tij me arsyetimin se inkriminohet.

Kalon në seancë të mbyllur dëshmia e Shukri Bujës, gjyqtari paralajmëron ndëshkime nëse ish-komandanti refuzon të dëshmojë

Seanca në të cilën pritet të dëshmojë ish-komandanti i Zonës së Nerodimes në rastin e ish-krerëve të UÇK’së ka kaluar në të mbyllur me kërkesë të kryetarit të panelit të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, Charles Smith.

Smith ka thënë se në rast se Buja refuzon të kundërshtojë, ndaj tij rrezikohen masa dhe gjoba.

“Në bazë të deklaratës solemne që keni lexuar, jeni detyruar të thoni të vërtetën, sipas rregullores dhe ligjit, ju këshilloheni, dhe ju kam këshilluar, që nuk ka nevojë të përgjigjeni në pyetje që janë inkriminuese… Përveç nëse duhet të përgjigjeni me garancinë sipas rregullores. Duhet ta keni të qartë se nëse gjykata iu urdhëron të përgjigjeni, duhet t’i përmbaheni këtij detyrimi. Nëse nuk i përgjigjeni pyetjeve ndaj jush mund të merren masa dhe shqiptimi i ndonjë gjobe“, ka deklaruar gjyqtari Smith.

Buja ka deklaruar se e ka statusin e të dyshuarit në dëshminë e tij kundër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.

Buja ka thënë se s’e ka ditur statusin e tij, por pas insistimit të avokatëve të tij ka marrë përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pas ftesës. Ai ka kërkuar që të mbrohet në heshtje.

“Kryetar i panelit, anëtarë të panelit… Pa ditur statusin tim si i dyshuar apo dëshmitar. Pas insistimit të avokatëve të mi, përfundimisht mu tregua që jam vetëm si i dyshuar. Prokuroria Speciale nuk më ka informuar. Në konsultim me avokatët e mi e shfrytëzova të drejtën ligjore dhe shfrytëzoj të drejtën time të mbrohem në heshtje“, deklaroi Buja.

Tutje ai ka folur për aktakuzën e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK’së, teksa ka thënë se në tetor të vitit të kaluar ishte ftuar si dëshmitar.

“Në këtë aktakuzë potencohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale në të cilën përfshihen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantë të zonave, zëvendëskomandantë të zonave… Ku përfshihet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ministra dhe staf tjetër i qeverisë së Kosovës. Në këtë aktakuzë është theksuar edhe emri im në paragrafin 35 dhe dy paragrafe të tjera të kësaj aktakuze. Në këtë rast emri im përmendet si i dyshuar. Në vitin e kaluar, në tetor të 2023-ës jam ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces gjyqësor. Prokuroria e Specializuar më ka konfirmuar se jam ende i dyshuar, ashtu siç më ka konfirmuar në seancat përgatitore para kësaj seance. Unë jam marr në pyetje nga Policia e UNMIK-ut, s’e kam nënshkruar këtë deklaratë dhe kësaj deklarate i mungojnë disa pjesë dhe nuk është e plotë“, deklaroi ndër te tjera Buja.

Në seancë është prezent edhe avokati i tij, Taulant Hodaj, ku tha se Buja dëshiron të mbrohet në heshtje në mënyrë që të mos inkriminohet. 

“S’mund mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, Buja nuk përgjigjet në pyetjet që i bëhen në Hagë

Ndonëse pyetjet i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, Shukri Buja nuk përgjigjet në asnjërën prej pyetjeve të tij me arsyetimin se inkriminohet.

Madje ai tha se qëndron pranë asaj që kishte deklaruar kur u pyet se a i pranon garancitë sipas Rregullës 151 (3) që parasheh mosinkriminimin e dëshmitarit në ato që thotë.  

“Dëshiroj që të qëndroj pranë asaj që kam deklaruar në deklaratë”, tha Buja.

Fillimisht, kryegjyqtari e njoftoi Bujën se mund të bëjë kërkesë për pushimin e hetimeve, duke shtuar se sot është i detyruar për të dëshmuar.

“Ju jeni të ftuar për të dhënë dëshmi dhe ju jeni të detyruar për të dhënë dëshmi, jeni të detyruar që ta thoni të vërteten dhe në qoftë se mendoni se mund ta inkriminoni vetën, atëherë e keni avokatin afër dhe ai mund të udhëzojë dhe ndihmojë me këshilla juridike sikur se ndodhi edhe sot”, tha kryegjyqtari.

Ai tha se në qoftë se e konsideron vetëinkriminuese, Buja ka të drejtën ligjore që të mos përgjigjet në ndonjë pyetje deri kur trupi gjykues e detyron që të përgjigjet në bazë të rregullës 151 (2) dhe ju jep garancitë sipas rregullës 151 (3)

Pace e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë nofkë. Buja tha se nuk mund të përgjigjet.

“Nuk mund të përgjigjem sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti serish dëshmitarin se a ka qenë i njohur me nofkën “Gazetari”, pasi për të vazhduar me pyetje të tilla u lejua nga kryegjyqtari.

“Nuk mund ta konfirmoj sepse me inkriminon”, tha Buja.

Prokurori e pyeti se a ka qenë i njohur me emrin “Sokoli” në ndonjë moment kohor.

“Nuk mund të përgjigjem”, tha serish Buja.

Ai tha se nuk mund të përgjigjet se inkriminohet edhe kur u pyet se çka ka qenë LPK-ja.

Dëshmitari tha se nuk mund të përgjigjet edhe kur u pyet se a ka qenë ndonjëherë anëtar i LPK-së.

Pas kësaj, ndërhyri kryegjyqtari duke thënë se në qoftë se nuk përgjigjet në pyetje ashtu siç është udhëzuar nga trupi gjykues, atëherë ndaj tij mund të merren masa.

“Dëshmitar unë ua rikujtoj edhe njëherë se mbas deklaratës solemne që e keni lexu pak përpara, jeni i detyruar që të thoni të vërteten sipas Rregullores dhe Ligjit iu këshilloheni dhe unë iu kam këshilluar tashmë që nuk ka nevojë t’i përgjigjeni një pyetje që është vetëinkrimunuese përveç se në qoftë se detyroheni që të përgjigjeni me garanci sipas rregullës 151 (3) që iu ofrohet. Ju kishit mundësi që ta diskutoni këtë me avokatin tuaj.  Ju duhet ta keni të qartë se në qoftë se gjykata iu urdhëron që të përgjigjeni një pyetjes iu duhet t’i përmbaheni këtij detyrimi. Në qoftë se ju nuk iu përgjigjeni pyetjeve mbasi iu ka udhëzuar trupi gjykues që të përgjigjeni atëherë ndaj jush mund të merren masa”, tha kryegjyqtari.

Mbrojtja e të akuzuarve tha se nuk kanë asgjë për të shtuar.

Ndërsa, avokati i Bujës tha se në korrespodencat që kanë pas me ZPS-në ia kanë rikujtuar edhe njëherë atyre kërkesën për përfundimin e hetimeve për shkak të kohëzgjatjes së hetimit dhe se ndonëse është si dëshmitar, klienti i tij është si i dyshuar.

“Nuk mjaftojnë garancitë që janë sipas rregullës 151, ka edhe garanci të tjera që parashikon ligji e që janë përmendur kur është fjala për cilësinë e tij si i dyshuar dhe unë mendoj që ai ka të drejtën që të qëndroj në heshtje dhe të mos përgjigjet nëse nuk dëshiron që të përgjigjet. E kam të qartë se kjo është vendimi i tij dhe në çdo moment ai mund ta ndryshoj vendimin e tij”, tha Hodaj.

Bdërkaq, Pace tutje tregoi se pse dëshmia e këtij dëshmitari është e rëndësishme për këtë proces gjyqësor.

“Dëshmitari ishte komandant i zonës dhe i nënzonës dhe si i tillë është në gjendje që të jep dëshmi të drejtpërdrejtë për lidhjet, ndërveprimin e anëtarëve të UÇK-së, Shtabit të UÇK-së ku përfshihen dhe të akuzuarit”, tha Pace.

Shukri Buja dëshmitari i radhës në rastin Thaçi dhe të tjerët, thotë se e ka statusin si i dyshuar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë Shukri Buja i cili mban kodin W01453 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai në fillim të seancës mori fjalën duke thënë se e kishte statusin e të dyshuarit në këtë rast si dhe e ka të drejtën ligjore që të hesht për ta mosinkriminuar vetën.

Buja është i pranishëm në sallë së bashku me një avokat kujdestar i cili është Taulant Hodaj. Megjithatë, kryegjyqtari ua dha garancinë e mosinkriminimit nga ajo që do të thonë në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

“Kryetar i panelit, anëtar të panelit, të pranishëm: Në vitin 2019, nga ZPS isha i ftuar në intervistim. Pas insistimit të avokatëve të mi, mu tregua që jam vetëm si i dyshuar. Prokuroria Speciale nuk me ka informuar për akuzat që ishin ndaj meje dhe nuk e kanë informuar as avokatet e mi, përkundër kërkesave të shumta nga ekipi im ligjor. Kësaj ftese të vitit 2019, iu përgjigja dhe duke pasur parasysh të drejtat e parapara ligjore dhe në konsultim me avokatet e mi, e shfrytëzova të drejtën ligjore që pyetje pas pyetje të shikojë dhe shfrytëzojë të drejtën time të mbrohem në heshtje”, tha Buja.

Ai tha se edhe në aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përmendur edhe emri i tij si i dyshuar.

“Në vitin 2020, nga Prokuroria e Specializuar është ngritur aktakuzë ndaj presidentit të vendit tim z. Hashim Thaçi, krye parlamentarit të Republikës së Kosovës, z.Veseli, ish-kryeparlamentarit z.Kransiqi dhe shefit të grupit parlamentar z.Selimi. Në këtë aktakuzë, në paragrafin 35 potencohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën përfshihen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandant të zonave, zëvendëskomandant të zonave, komandat të brigadave dhe anëtar të shtabit të brigadave, komandant të njësiteve të zbulimit dhe policisë ushtarake dhe ushtarë të tjerë ku përfshihet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ministra dhe staf tjetër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Në këtë aktakuzë, është theksuar edhe emri im në paragrafin 35 dhe në dy paragrafë të tjera të kësaj aktakuze. Me tutje, në parashtresën e Prokurorisë… në këtë rast emri im përmendet si i dyshuar”, tha Buja,

Ai tha se edhe gjatë vitit të kaluar është rikonfirmuar se është ende i dyshuar e po ashtu ngjashëm edhe gjatë seancave përgatitore për të dëshmuar në këtë rast.“Në vitin e kaluar, në tetor të 2023 jam ftuar nga ZPS në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces gjyqësor. Në korrespodencat me ZPS-në, përmes avokateve të mijë, ZPS-ja me ka konfirmuar se jam ende i dyshuar ashtu sic me ka konfirmuar edhe në seancat përgatitore përpara kësaj seanca”, tha ai.

Buja e përmendi një deklaratë që e ka dhënë për UNMIK-un gjatë viteve të pasluftës duke shuar se nuk ka ndonjë kopje të saj, nuk e ka nënshkruar, është e mangët si dhe nuk është njoftuar për të drejtën e tij për avokat.

“Në dosjen që kam pas mundësi me shqyrtu në seancën përgatitore, ndër të tjera kanë qenë: një deklaratë që pretendohet që është marrë gjatë vitit 1999 apo 2000 ku unë jam marrë në pyetje nga Policia e UNMIK-ut. Unë nuk e kam nënshkruar këtë deklaratë dhe nuk kam pranuar asnjë kopje të saj dhe kësaj deklarate i mungojnë disa pjesë dhe nuk është e plotë dhe nuk  kam pas avokat me mua dhe nuk jam njoftu për të drejtat për të pasur avokat”, tha ai.

-----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe ZPS-ja javën e kaluar njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu, ZPS-ja do t'i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë.

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, gjashtë dëshmitarë dhanë dëshmi së fundi. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja, Fatmir Sopi ishte anëtar i UÇK-së i përfshirë në organizimin e strukturave të UÇK-së në rajonin e Gollakut brenda zonës operative të Llapit dhe pati rol kyç në krijimin e Brigadës 153. Ai dha dëshmi kryesisht pa masa mbrojtëse në lidhje me krijimin, strukturën, stërvitjen dhe operacionet e Brigadës 153.

Pas dëshmisë së z. Sopi, tre dëshmitarë dhanë dëshmi me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private. Disa prej tyre dhanë dëshmi nëpërmjet videolidhjes. Dëshmi dha Haxhi Mazreku. Ai ishte dëshmitari i 102-të që ka dëshmuar në gjyq.

Pastij, Nuredin Ibishi rifilloi me dhënien e dëshmisë së tij që filloi një javë më parë duke iu përgjigjur pyetjeve nga Mbrojtja.

Ndryshe në rastin gjyqësor “Hashim Thaçi dhe të tjerët”, gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat