Elezi njofton për afatet e akreditimit të vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 9 shkurtit

Aktuale

Elezi njofton për afatet e akreditimit të vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 9 shkurtit

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 10:29
Valmir Elezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar tri afate për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Afati për certifikim fillon më 22 dhjetor, ndërsa përfundon më 15 janar të vitit të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur për eo, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se për zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 ishin akredituar rreth 30 mijë vëzhgues, pjesa më e madhe e të cilëve përfaqësonin subjektet politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.

Më 22 dhjetor 2024 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të cilat do të certifikohen nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje. Ky afat do të përfundojë më 15 janar 2025. Më 11 janar 2025 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të organizatave jo-qeveritare, qeveritare, ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja. Ky afat do të përfundojë më 25 janar 2025. Dhe, më 21 janar 2025 do të fillojë afati për aplikim për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare. Ky afat do të përfundojë më 4 shkurt 2025”, njoftoi Elezi.

Elezi njoftoi se KQZ do të përgatisë një program të vëzhgimit të zgjedhjeve për vëzhguesit ndërkombëtar, të cilëve do t’i prezantohet sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës.

KQZ është anëtar me të drejta të plota i Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB) si dhe ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me shumë institucione të shteteve të ndryshme që merren me organizimin e zgjedhjeve. Aktualisht jemi në fazën e planifikimeve dhe natyrisht se do t’i ftojmë që të vizitojnë Republikën e Kosovës dhe të njihen nga afër me sistemin tonë zgjedhor. Për vëzhguesit ndërkombëtar, do të përgatisim një program njoftues me veçoritë e procesit zgjedhor në vendin tonë”, ka thënë Elezi.

Më tej, Elezi deklaroi se për KQZ-në, vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe të evidentojnë shkeljet e mundshme.

“Sigurisht se vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi ka rol në integritetin e procesit zgjedhor dhe është i domosdoshëm për besimin e qytetarëve, por edhe të akterëve të tjerë, në zgjedhje”, u shpreh Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar do të mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen pas ditës së zgjedhjeve në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat