Ferid Agani: Që 10 vite është miratuar Ligji për Sigurime Shëndetësore, por s’u zbatua

Aktuale

Ferid Agani: Që 10 vite është miratuar Ligji për Sigurime Shëndetësore, por s’u zbatua

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 11:07
Ferid Agani

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri për Sigurime Shëndetësore.

Pasi sipas tij, është ai i para 10 viteve.

“Kosova nuk ka nevojë për ligj të ri në këtë lëmi në situatën kur ligji në fuqi, qe dhjetë vite prej kur është miratua, asnjëherë nuk është tentua të zbatohet”, deklaron Agani.

Agani shprehet se mungesa e vizionit reformues të Qeverisë ka ndaluar zbatimin e këtij ligji.

“Arsyeja kryesore e mosfunksionalizimit të ligjit në fuqi për sigurime shëndetësore është mungesa e plotë e vizionit reformues të qeverisë dhe moszbatimi i ligjit për shëndetësi veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me SHSKUK”, thotë Agani.

Tutje, Agani thotë se për t’i tejkaluar vështirësitë në Shëndetësi ka vetëm një rrugë.

“Rruga e vetme e drejtë për tejkalimin e vështirësive evidente në sektorin e shëndetësisë është vazhdimi i reformës së sektorit të shëndetësisë të filluar gjatë mandatit tim, nëpërmjet amandamentimit të ligjeve ekzistuese në fuqi për shëndetësi dhe për sigurime shëndetësore”, deklaroi Agani.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat