Hoti: RTK-së, AKI-së dhe AJ-së iu cenua pavarësia e punës së tyre

Aktuale

Hoti: RTK-së, AKI-së dhe AJ-së iu cenua pavarësia e punës së tyre

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 13:47
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se tri institucioneve vitale të Kosovës iu është cenuar pavarësia e tyre.

Hoti e pati fjalën për RTK-në, AKI-në dhe Auditorin e Jashtëm.

“Radio Televizioni i Kosovës është institucion i pavarur, që ka për obligim informimin e drejtë dhe të paanashëm të publikohet, dhe financohet nga taksat e qytetarëve. Institucion tjetër i rëndësishëm është AKI-ja, që ka për qëllim të mbrojë sigurinë kombëtare, të prodhojë informacionet e nevojshme për të gjitha institucionet shtetërore për situata që cenojnë sigurinë kombëtare, dhe institucioni i tretë Auditori i Jashtëm, i cili tash mbikëqyr rregullsinë e shpenzimeve të parasë publike”, tha Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Është fakt se javët e fundit ka pasur informata të bazuara se puna e këtyre institucioneve vitale është cenuar, është cenuar pavarësia e punës së këtyre institucioneve”.

Po ashtu, Hoti shton se në katër vjet nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së, duke përmendur po ashtu edhe përndjekjen e gazetarëve nga AKI-ja.

“Mos të harrojmë se buxheti i RTK-së është i përafërt ose më i madh se i Kuvendit të Kosovës,e  financojmë nga taksat e qytetarëve, nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së”, u shpreh Hoti.

“Agjentë të AKI-së ndoshta me të drejtë ndoshta padrejtë kanë përcjellë gazetarë. Por ata duhet t’i tregojnë Komisionit Parlamentar se gazetari i caktuar ka rrezikuar sigurinë kombëtare ose ndoshta janë duke ia mbrojt jetën atij gazetari, por duhet t’i tregojnë atij gazetari këtë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat