Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët.
Në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje.
Ndërsa për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqësinë e Miroslav Lajçakut, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.
“Si Republikë e Kosovës që përbën popullin në pro-amerikan në botë, jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai Demokrat edhe kampi Republikan. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë. Sa i përket dialogut, shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, prandaj shpresoj shumë se komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj konference ajo ka përmendur edhe sulmin në Banjskë vitin e kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, duke thënë se gabimisht ky sulm po interpretohet si incident i izoluar dhe jo si përpjekje strategjike për okupim territoresh.
“Javën e kaluar në KS të OKB-së kam theksuar rrezikun e madh që vjen nga një fqinj gjithnjë e më agresiv i yni dhe nga një Rusi gjithnjë e më agresive, që të dyja synojnë destabilizimin e Ballkanit. Këshilli Evropian për marrëdhënie të jashtme ka publikuar kohët e fundit një paralajmërim që thekson se nëse NATO, BE-ja de SHBA-ja nuk ndërmarrin hapa më të vendosur për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve, ekziston rreziku që një konflikt të rikthehet në Ballkan. Ky është paralajmërim serioz për të gjithë ne që na detyron të angazhohemi edhe më shumë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. I referohem sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar i cili gabimisht interpretohet si incident i izoluar dhe jo si përpjekje strategjike për okupim territoresh. Vetëm falë reagimit tonë të fuqishëm kemi arritur të shmangim atëherë një pushtim të territorit tonë dhe nuk duhet të supozojmë se Putini dhe të tjerë e shohin këtë si përpjekje të dështuar si fundin e synimeve të tyre. Ata presin rrethana më të favorshme për të arritur shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Këtë partnerët në BE dhe NATO duhet ta marrin seriozisht”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, ministri Bettel ka thënë gjatë konferencës së përbashkët se Kosova ka vuajtur shumë nga vendimet e marra nga të tjerët dhe se ajo e meriton të jetë storje suksesi.
Bettel ka potencuar se synim i vendeve evropiane është të shmanget çfarëdo lloj lufte në Ballkan.
“Jam këtu që për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme dhe do të jenë rreth 25 milionë euro investime që do të këto projekte kreative e në sektorë të IT-së, sepse është e rëndësishme për situatën tuaj ekonomike”, ka thënë mes tjerash ai.
“Ky rajon ka vuajtur mjaft për vendimet që janë marrë nga të tjerë dhe ju e dini se unë do të kem përgjegjësinë edhe të Komitetit në Këshill të Evropës ku ju së bashku do të punoni për t’i dhënë Kosovës vendin që meriton dhe respektin që meriton dhe gjithashtu mundësinë për të qenë një storje suksesi siç e meriton. Për të qenë anëtar i BE-së është rrugë e gjatë për t’u kaluar”, ka shtuar Bettel.