Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës të hënën, ka deklaruar se progresi ekonomik i Kosovës është i ndërlidhur ngushtë me progresin e të gjithë fqinjëve rajonalë, duke shtuar se suksesi i një vendi përkatës nuk mund të arrihet nëse vendet e rajonit nuk përparojnë njëkohësisht.
“Progresi i vendit tonë është i lidhur ngushtë me progresin e fqinjëve tanë. Nuk mund të shkëlqesh përjetësisht në një rajon nëse nuk shkëlqejnë të gjithë njësoj. Ne jemi të angazhuar për të punuar së bashku sepse besojmë se të gjithë do të përfitojmë kur rajoni është më i begatë dhe më i sigurt”, ka theksuar kreu i ekzekutivit kosovar.
Duke folur në edicionin e sivjetmë të iniciativës rajonale që ka në fokus kryesor bashkëpunimin ekonomik në mes të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore, ai ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), përjashtuar Serbinë.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë ose pjesë e NATO-s, ose NATO-ja është pjesë e tyre. Të gjithë duam të anëtarsohemi në BE. Unë besoj se do të avanconim shumë më shpejt nëse nuk do të ishin disa tendenca autokratike dhe një mendësi e prapambetur dhe ekspansioniste e disave”, ka potencuar kryeministri Kurti.