Zgjedhjet presidenciale që po mbahen sot (e martë) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderohen të jenë historike. Ndryshimi i mundshëm i administratës amerikane, pritet të ndikojë në qasjen e SHBA-së karshi problemeve globale, por edhe ndaj Kosovës. Atje sot votohet për presidentin e ri, ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.
Për zgjedhjet presidenciale, kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.
Faton Bislimi nga Liga qytetare shqiptaro-amerikane (LQShA), thotë se shqiptarët atje do të përkrahin në masë të madhe zëvendëspresidenten Harris.
Bislimi: Zonja Harris do të merr një numër të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve
“Zonja Harris do të merr një numër të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve. Dhe këtu më lejoni të theksoj pse, jo për arsyen e domosdoshme se shqiptarët në Amerikë janë kryesisht demokratë dhe e mbështesin zonjën Harris, pasi që ajo është e nominuara e demokratëve. Mendoj që një pjesë e madhe e votave që shkojnë tek zonja Harris, shkojnë për shkak të mirënjohjes dhe respektit që shqiptarët e kanë për punën e presidentit Biden, veçanërisht sa ishte senator dhe kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të senatit të Shteteve të Bashkuara”, thotë Bislimi.
Tri ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kandidatja për presidente, Kamala Harris i është drejtuar me letër komunitetit shqiptaro-amerikan. Në këtë letër theksohen marrëdhëniet dhe kontributi amerikan për arritjen e pavarësisë të Kosovës.
Kryetari i komitetit shqiptaro-amerikan, Haxhi Dauti thotë se kjo është letra e parë për shqiptarët.
Dauti: Kjo është letra e parë për komunitetin shqiptar në Amerikë
“Kjo letër është një letër e parë për komunitetin tonë shqiptar këtu në Amerikë. Për shkak se Amerika është 350 milionë, një popullatë e madhe që ndoshta ne jemi 2 milionë shqiptarë në gjithë Amerikën. Mirëpo, ndihemi krenarë me këtë letër që jemi pjesë e familjes amerikane dhe jemi pjesë të cilët kontribuojmë në votimet në elektoratet e Amerikës”, thotë Dauti nga Amerika.
Ndryshimi i administratës amerikane pas kësaj gare presidenciale, sipas aktivistit politik në SHBA, Faton Bislimi thekson se do të ndikojë edhe në Kosovë.
Bislimi: Me ndryshimin e administratës amerikane do të shohim një ndryshim në qasjen e SHBA-së
“Nëse zonja Harris do të mbetet shefe në Shtëpinë e Bardhë, atëherë besoj që nuk do të kemi një ndryshim drastik në marrëdhëniet me Kosovën, sepse një pjesë e madhe e administratës Biden do të vazhdojë të jetë një pjesë edhe e administratës të zonjës Harris. Në qoftë se kemi një rikthim të mundshëm të presidentit Trump nuk është që nuk jemi provuar edhe me atë mënyrë të qeverisjes më herët. Normalisht do të ketë një ndryshim thelbësor në administratën e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Trump. Por përtej ndryshimit thelbësor në administratë, normalisht se do të shohim një ndryshim shumë të rëndësishëm në qasjen e Shteteve të Bashkuara karshi problemeve globale, e këtu përfshihet edhe Kosova”, deklaron Bislimi.
Këto zgjedhje presidenciale do të përcaktojnë jo vetëm fatin e Shteteve të Bashkuara, thotë ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi zgjedhor.
Bislimi: Ka disa arsye që zgjedhjet në SHBA janë historike
“Ka disa arsye pse këto (zgjedhje) janë historike, sepse në qoftë se Trump fiton do të bëhet vetëm personi i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që ka arritur të fitojë presidencën dy herë, por jo në mandate të njëpasnjëshme dhe arsyeja e dytë është se në qoftë se Harris fiton do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thekson ai.
Komiteti shqiptaro-amerikan konsideron se zgjedhjet e sotme në ShBA do të jenë në dobi të shqiptarëve atje.
Dauti: Shqiptarët janë të ndarë sa i përket zgjedhjeve në ShBA
“Pritjet e shqiptarëve... shqiptarët janë të ndarë në këtë aspekt. Janë republikanë-demokratë që është një gjë e mirë, është një pasuri kombëtare. Shumica janë pro Trump, po ashtu kemi një masë të madhe shqiptarë që do të votojnë për Kamala Harris, për demokraten që doli dje me një letër për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ku se si çka për një shekull, se si Amerika dhe shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë miq të vërtetë dhe kanë pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe po ashtu flet për emigrantët shqiptarë të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim. Dhe shpresoj që çfarëdo që të ndodhë, ose Kamala ose Trump të fitojë të jetë në dobinë e popullit tonë shqiptarë, sidomos në Kosovë”, tregon ai.
Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.
Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021.