Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, i cili akuzohet për korrupsion, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se nuk ka përfituar asgjë dhe se mendon që Komuna nuk është dëmtuar nga dy proceset për shkollat në Dobroshevc dhe Drenas, për të cilat akuzohet.
“Nuk kam përfitu asgjë, as që kam menduar të përfitoj…”, tha i akuzuari, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë
Tahiraj akuzohet lidhur me riparimin e kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, si dhe për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, investime këto që sipas aktakuzës, janë kryer pa procedura të tenderimit.
Në këtë seancë rigjykimi, i akuzuari deklaroi se mbetet në tërësi pranë asaj që ka deklaruar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, raporton Betimi për Drejtësi.
Tahiraj theksoi se për rastin kishte kuptuar vetëm kur ishte ftuar nga komisioni disiplinor dhe kur pranoi ftesën nga Policia për të dhënë deklaratë.
I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Blerim Qela se a është dëmtuar Komuna e Drenasit në çfarëdo forme nga procedurat për të cilat flitet në aktakuzë, Tahiraj e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, nuk mendoj se është dëmtuar Komuna e Drenasit”, tha Tahiraj.
I akuzuari pohoi se e kishte nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit në mes të Komunës së Drenasit dhe Al Trade. Këtë tha e bëri duke menduar të ndihmojë shkollën.
Në këtë seancë, u dha edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë, meqë rast prokurorja Dulina Hamiti deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit të kaluar. Ndërsa, avokati Qela fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 mars 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Tahiraj, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.