​Ish-kryediplomati Milo: Mbështetja e SHBA-së dhe Britanisë, kyçe për shtetësinë e Kosovës

Aktuale

​Ish-kryediplomati Milo: Mbështetja e SHBA-së dhe Britanisë, kyçe për shtetësinë e Kosovës

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo ka thënë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe vështirë se do të zgjidhej çështja e Kosovës. Madje, -ish-kryediplomati shqiptar theksoi se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës i ka rrënjët tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Konferenca e Rambujesë.

Këto komente, profesor Milo i bëri në kuadër të një ligjërate të hapur me temën “Roli i diplomacisë shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe përgjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë me rastrin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në këtë ligjëratë para studentëve në Fakultetin Filozofik, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo theksoi se shtetësia e Kosovës i ka rrënjët tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në Konferencën e Rambujesë.

Milo: Rrënjët e shtetit të Kosovës në luftën e UÇK-së dhe Konferencën e Rambujesë

“Ata që e nisën luftën çlirimtare, ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare, ata që e përfunduan me sukses luftën çlirimtare ata meritojnë të mbeten për jetë monumente të historisë kombëtare, kanë gjithë vendin e merituar në historinë e Kosovës gjithsecili me rolin dhe kontributin e tij...Kjo është mëritë e atyre liderëve shqiptarë të Kosovës duke filluar nga Ibrahim Rugova, që e nisi, e hapi rrugën e deri tek Hashim Thaçi dhe të gjithë udhëheqësit e tjerë të UÇK-së që e çliruan Kosovën dhe ndërtuan shtetin e ri modern dhe demokratik të Kosovës. Dhe rrënjët e këtij shteti janë pikërisht atje tek ajo luftë, por në aspektin diplomatik fillojnë në Konferencën e Rambujesë“, theksoi ai.

Diplomati shqiptar teksa foli për kontributin e politikës shqiptare në çështjen e Kosovës gjatë periudhës së luftës, i cili tha se përkundër presionit nga ndërkombëtarët për ta cilësuar UÇK-në si terroriste, qeveria shqiptare asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Milo: Përkundër presionit si qeveri e si shteti nuk thoshim kurrë në atë kohë se UÇK është terroriste

“Ne kemi pasur presione për të qenë të sinqertë që të mos e njihnim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi pasur presione edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë madje që siç e cilësuan në fillim si terroriste, na bënin presionin që edhe neve ta cilësonim terroriste në fillim pas janarit të vitit 1998, sigurisht që ne nuk e bëmë se nuk kishim pse ta bënim as nuk pranimin ta bënim dhe këtu kemi luajtur rol se nga njëra anë mbështesnim, e angazhoheshim dhe nga ana tjetër atje ku nuk na interesonte qëndronim në heshtje. Por , nuk thoshim kurrë si shtet dhe si qeveri në atë kohë se UÇK është terroriste”, u shpreh Milo.

Ish-ministri shqiptar, Paskal Milo e ka cilësuar si moment dramatik Konferencën e Rambujesë.

Milo theksoi se pa mbështetjen e ShBA-ve dhe të Britanisë së Madhe çështja e Kosovës ishte vështirë për t’u realizuar.

Milo: Clinton, Albrigt, Blair dhe Cook njerëzit kyç të pavarësisë së Kosovës

“Ka qenë shumë dramatike momenti final i Konferencës së Rambujesë, vetëm burrat të tillë vendimmarrës të mëdhenjtë siç ishin anëtarët e delegacionit bënë që ai moment final shumë delikat të përfundonte me shumë sukses...32’01 Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pa mbështetjen e Britanisë së Madhe në atë kohë çështja e Kosovës do të ishte shumë e vështirë për t’u realizuar. E kemi pasur fatin që ishte Bill Clinton në atë kohë president i SHBA dhe Medeleine Albright sekretare e shtetit, kemi pasur fat që kryeministër ishte Tony Blair në Britani dhe Robin Cook sekretar i jashtëm, këta janë katër njerëzit që e kanë bërë në subsatancë pavarësinë e Kosovës, por të mos donin këta nuk bëhej”, theksoi ai.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj u shpreh se Konferenca e Ramubujesë shënon një pikë kthese ku përpjekjet dhe aspiratat e Kosovës për liri dhe drejtësi morën formë konkrete në sytë e botës.

Ndërsa, Malaj tha se diplomati, Milo ka ndihmuar ka ndihmuar në promovimin dhe formësimin e çështjeve kombëtare në skenën ndërkombëtare.

Malaj: Konferenca e Rambujesë nuk ishte vetëm një vendim politik apo një marrëveshje diplomatike, ishte një pikë kthese

“Na fton të kthejmë sytë pas në një periudhë ku diplomacia dhe përfaqësimi ynë jashtë vendit luan një rol kyç. Konferenca e Rambujesë nuk ishte vetëm një vendim politik apo një marrëveshje diplomatike, ishte një pikë kthese ku përpjekjet dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe drejtësi morën formë konkrete në sytë e botës. Është gjithashtu një moment ku diplomacia shqiptare dhe mbështetja e vendosur e partnerëve ndërkombëtarë veçanërisht e NATO krijuan kushtet për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe humanitare që qoi në lirinë e Kosovës”, theksoi ai.

Në këtë ligjëratë të mbajtur nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo mori pjesë edhe publicisti Veton Surroi, Arsim Bajrami e profesor të tjerë të njohur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat