Ministri Peci: Digjitalizimi do ta fuqizojë sektorin e bujqësisë

Aktuale

Ministri Peci: Digjitalizimi do ta fuqizojë sektorin e bujqësisë

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 15:38
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se teknologjia dhe digjitalizimi janë rruga që do t’i fuqizojnë fermerët, duke i bërë ata më konkurrues dhe produktivë.

Më tej, Peci ka thënë se gjatë mandatit të tij, ka prioritarizuar projektet që nxisin rritjen e konkurrencës së sektorit agroushqimor dhe përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së prodhimit në fermë, duke përputhur përpjekjet me Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028.

Këto deklarata Peci i bëri në në punëtorinë fillestare për Programin e Bujqësisë Digjitale dhe Planin e Veprimit në Kosovë.

Ky program, sipas tij do të sigurojë një qasje sistematike dhe të informuar për integrimin e mjeteve digjitale në të gjithë zinxhirin e vlerave bujqësore.

“Programi do të ndikojë edhe në përmirësimin e efikasitetit të burimeve, forcimin e ekonomive rurale dhe ndërtimin e kapaciteteve të fermerëve për të adoptuar praktika inovative e po ashtu është njëra prej veprimeve ose masave që ka prioritet dhe rëndësi të veçantë. Procesi i digjitalizimit do të thotë lehtësim dhe një hap tutje në rritjen e produktivitetit. Është pjesë e rëndësishme e strategjisë nacionale, pa dyshim se qëllimi është rritja e konkurrencës në sektorin e bujqësisë, nxitjen e inovacionit, përmirësimin e vendimmarrjes”, ka thënë ministri Peci.

Ky objektiv, sipas ministrit do të kontribuojë për vendin që prodhimi të rritet në nivel të eksportit, duke treguar se kanë shënuar rritje për rreth 94 për qind. E krahas kësaj, Peci tregoi se kanë ndërmarrë hapa konkret, dhe si rezultat i mbështetjes përmes granteve ekzistojnë ferma të digjitalizuara. “Andaj, e kam parë të domosdoshme krijimin e mundësive të reja në sektorin e bujqësisë. Ne këtë vit kemi ofruar 70 bursa në Fakultetin e Bujqësisë. E një hap tjetër është investimi në energjinë e ripërtëritshme. Po ashtu,  duke rritur përkrahjen institucionale nga fermerët për 300 milionë euro, MBPZhR-ha është institucioni qeveritar që është shpallur si ministria më transparente në vend.”, ka thënë Peci.

Në anën tjetër, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Arnhild Spence, ka thënë se Kombet e Bashkuara do të mbështetin digjitalizimin e bujqësisë, me qëllim që Kosova të ketë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. “Sot shënohet hapi i parë sa i përket këtij programi. Ky sektor është shumë i rëndësishëm dhe OKB është e gatshme të ndihmojë. Duhet të pajisemi me mjete dhe të përqafojnë digjitalizimin”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Programi i Bujqësisë Digjitale dhe Plani  i Veprimit do të lehtësojë përafrimin me standardet e BE-së dhe do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike për fermerët, duke e bërë më të lehtë aksesin në mbështetjen e qeverisë përmes platformave digjitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat