BSPK-ja thotë se po shpërfillet zëri sindikal

Aktuale

BSPK-ja thotë se po shpërfillet zëri sindikal

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 19:53
BSPK

Komisioni për Buxhet Punë e Transfere pritet që nesër nga ora 11: 00, sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të mblidhet në një takim. E pikërisht pika e 9 e rendit të ditës së këtij komisioni ka nxitur reagimin e BSPK-së.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë se po ndjekë me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me siç thonë ata, shpërfilljen e zërit sindikal në Kosovë.

Sipas BSPK-së, ky zë po anashkalohet nga Qeveria, përfshirë edhe procesin e emërimit të anëtarit të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës nga radhët e punëtorëve.

“Në këtë proces, komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve, i cili përbëhet nga: Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës dhe  Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, nuk e ka marrë në konsideratë rekomandimin e BSPK-së. Në rastin konkret BSPK-ja është organi i vetëm legjitim për përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të punëtorëve në të gjithë sektorët e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e BSPK-së

Sipas BSPK-së, jo vetëm që komisioni e ka injoruar rekomandimin e BSPK-së, por sipas tyre ka zgjedhur një person që nuk ka rekomandim nga sindikata apo nga punonjësit, por vetëm nga punëdhënësit, që thonë se përbën një shkelje flagrante të Ligjit për Organizimin Sindikal.

“BSPK i drejtohet me kërkesë publike dhe shumë legjitime Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe të gjithë deputetëve, që të mos lejojnë këtë shkelje të rëndë ligjore të të drejtave sindikale, të garantuara me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës. Deputetët janë organ ligjvënës dhe kanë për detyrë që të mos kryejnë shkelje ligjore në dëm të asnjë kategorie në Kosovë, përfshirë edhe të punësuarit që mund të pësojnë nga përfaqësimi i personave që nuk përfaqësojnë zërin e tyre në Bordin Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat