Trump apo Harris, Hoxhaj: Kosova, temë e dorës së dytë ose tretë në Amerikë

Aktuale

Trump apo Harris, Hoxhaj: Kosova, temë e dorës së dytë ose tretë në Amerikë

Më: 5 nëntor 2024 Në ora: 23:33
Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ndarë pikëpamjet e tij lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në raportet e ardhshme të Amerikës me Kosovën, rajonin e Evropën.

Ai e bëri këtë koment duke folur për garën presidenciale që është në fazat e saj të fundit dhe për mundësinë e një mandati të dytë për Donald Trump ose fitoren e mundshme të Kamala Harris.

Sipas Hoxhajt, nëse Trump fiton përsëri, nuk duhet paragjykuar qasja e tij e re bazuar në mandatin e parë.

“Nuk do të duhej të paragjykojmë sjelljen e Trumpit në mandatin e dytë, për atë se si është sjellë në mandatin e parë për temat të cilat mund të jenë në rajon apo Evropë. Më shumë do të varet se si SHBA-të do ta ndërtojnë më BE-në. Se si do të shohin Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit, planin franko-gjerman, këtu mund të jenë indiciet e para”, ka thënë Hoxhaj.

Ai theksoi se çështja e Kosovës në politikën amerikane nuk është ndër prioritetet kryesore, duke e cilësuar si një temë që përbën interes të dorës së dytë ose të tretë.

Hoxhaj përmendi gjithashtu se historia ka treguar se qasjet ndaj Kosovës shpeshherë janë parë me skepticizëm fillimisht, duke përmendur si shembull mbështetjen e fortë të ish-presidentit George W. Bush për Kosovën.

“Por Kosova është më shumë një temë e diplomatëve sesa e politikanëve në Amerikë. Është një temë e dorës së dyte apo tretë. Në Evropë, Ukraina është tema kryesore që do të ketë vëmendjen e administratës së re. Nuk shoh ndonjë dallim… nuk pres ndonjë ndryshim të Amerikës në raport me Kosovën. Nuk e them si politikan, që të jem i kujdesshëm. Por iu referohem Xhorxh W. Bushit, i cili atëkohë ka qenë i paragjykuar në Kosovë. Dhe në Evropë. Por ka qenë prej njerëzve që e ka mbështetur më së shumti Kosovën”, ka shtuar Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat